Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Punëtorët e KEK-ut duan rritje pagash e pagë të 13-të

Kek puntor protesta

Paga më të larta, përmirësim të kushteve e siguri më të madhe në vendet e punës kanë kërkuar dhjetëra punonjës të KEK-ut në protestën e mbajtur të enjten në Prishtinë. Ata kërkuan edhe pagën e 13-të për vitin 2026

Me thirrjet “Duam rritjen e pagave” dhe “Ju nuk mund të na varfëroni në heshtje”, punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë protestuar të enjten para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të Korporatës në Prishtinë.

Në protestën e thirrur nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës është kërkuar edhe përmirësimi i kushteve të punës, si dhe vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës.

Udhëheqësi i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, u shpreh se punëtorët kërkojnë edhe pagën e 13-të, duke nisur nga viti 2026.

“Siç e dini, edhe vitin e kaluar është ndarë paga e 13-të, por padrejtësisht, mjetet e Korporatës Energjetike të Kosovës iu janë dhënë sektorëve të tjerë, kurse sektorët e punëtorëve që mbajnë gjallë dritën, energjinë dhe ekonominë e Kosovës, nuk i kanë marrë këto mjete. Kjo është një padrejtësi dhe një nënçmim për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës”, ka thënë Jashari.

E nënkryetari i sindikatës, Nexhat Llumnica, foli për kushtet e punës, që sipas tij, nuk janë të mira.

“Po ku mos me qenë të pakënaqur ku dëgjojmë për rialokimin e buxhetit për 120 milionë euro, e që ndër to merren 30 milionë euro nga ndërmarrjet, çfarë kuptimi ka me na i marrë paret neve, me ua dhënë të tjerëve, a shtëpisë së vet jo. Vetëm në vitin 2026 kemi 17 të vdekur, 4 aksidentalisht e 13 që ne dyshojmë që vdesin nga sëmundjet profesionale që i marrim gjatë procesit të punës”, ka thënë Llumnica.

Protesta për rritje pagash e pagë të 13-të, punëtorët e KEK-ut zhvilluan edhe vitin e kaluar. 
Sipas një njoftimi të Korporatës Energjetike të Kosovës të bërë vitin e shkuar, paga mesatare neto e një punëtori në KEK ishte 1.080 euro.

Ndërsa në gusht të këtij viti, Sindikata e Re e Punëtorëve të KEK-ut organizoi protestë me kërkesën për përmirësim të kushteve të punës, pas vdekjes së katër punëtorëve në vendin e punës brenda një periudhe të shkurtër.