Kryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se Kompanisë për Distribuim të Energjisë (KEDS) duhet t’i shkëputet kontrata për shkak se ka mangësi në punën që bën dhe “ka mëkate që i ka bërë brenda kontratës”.
Sipas Llumnicës, KEDS-i nuk është duke i kryer shërbimet brenda kontratës, ndonëse tha se i inkason mbi 21 milionë euro në vit.
“Mendoj se KEDS-it duhet t’i shkeputet kontrata pasi për ta është ngritje e çmimit të rrymës më shumë se për KEK-un. KEK-u e shet megavatin për 29 euro e gjysmë, e 35 i merr KEDS-i për transportin e rrymës, që i bie më shumë përfiton ajo që transporton...KEDS-i ka mangësi e mëkate që i ka bërë brenda kontratës dhe s’po i kryen shërbimet sipas kontratës”, ka thënë Llumnica të hënën në Interaktiv të KTV-së.
Kryesindikalisti u shpreh se KEK-u ka vështirësi për shkak të KEDS-it, ku tha se kjo e fundit ia ka 100 milionë euro borxhe.
“Kjo pengom mirëmbajtjen dhe rritjen e pagave të punëtorëve, që punëtorët kanë një pagë të ulët krahasuar me tregun e punës. Edhe kështu janë kushtet e vështira, rreziku jashtëzakonisht i lartë, dëmtimi i shëndetit edhe përkundër aplikimit të masave mbrojtëse. Rrezikshmëria nuk paguhet, për shkak që siç thuhet ka mungesa financiare...Ne e kërkojmë atë që e kemi kërkuar gjithmonë”, ka shtuar ai.
Llumnica ka potencuar se Kosova s’është në kolaps energjetik pasi shtoi se aktualisht po prodhohen 400 megavat energji.
“B1-shi po prodhon, e B2-shi është në remont kapital, që është parashikuar më gjatë. S’ka ndonjë rrezik, njëri bllok i Kosovës A po prodhon, mbi 400 megavat energji po prodhohen. Ka qenë një kohë kur ka rënë një bllok i Kosovës A pasi ka pasur rrjedhje në kaldajë, por ajo u kthye më shpejt se brenda 48 orëve. Kjo që e ka bërë të madhe e ka bërë kompania private, që s’i konvenon të importojë energjinë elektrike dhe kjo është arsye. E dimë se termocentralet janë të vjetra dhe mund të ndodhin këto”, ka thënë ai.
Duke iu përgjigjur ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që tha se sivjet po bëhen rehabilitimet pas sa kohësh, Llumnica shtoi se “rehabilitimet bëhen çdo vit”.
“Bëhen çdo vit, çdo 30 apo 45 ditë. Kjo ka ndodhur çdo vit. Ky është remont kapital dhe më i gjatë. Ky është diçka tjetër. Nuk është kolaps, termocentralet e vjetra dhe ndodhin këto gjëra, por ne po përgatitemi për dimër”, ka shtuar ai.