Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Llumnica e akuzon KEDS-in për vjedhje, kërkon nga Qeveria t’ia shkëpusë kontratën

Nënkryetari i Sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica ka thënë se gjendja e punëtorëve nuk është e mirë për shkak se ka mungesë të tyre.

Ai ka thënë se ata e bëjnë një punë shumë të madhe duke e mbushur edhe boshllëkun e punëtorëve.

Llumnica ka shtuar se në bazë të skemës organizative të vitit 2016 ishin 5300 punëtorë dhe sot janë 3500, e që në mungesë janë 1800 sipas skemës organizative.

“Ka shumë sfida për punëtorët për shkak se marrin shumë sëmundje. Zakonisht punojnë edhe në më shumë ndërrime. Këtu në KEK janë shtyrë partitë politike kush me sjell punëtorë më shumë. Edhe sot po ndodhë kështu. Gjithë kjo papunësi në vend, dhe në korporatën më të fuqishme në vend të ketë një mungesë kaq të madhe”, ka thënë ai.

Llumnica në emisionin SOT në KTV ka thënë se edhe në KEK ka pasur nepotizëm dhe ka ende. Sipas tij, familjarë dhe njerëz të partive politike janë avancuar vazhdimisht.

Ai ka shprehur skepticizëm se gjendja në KEK do të rregullohet.

Edhe Llumnica: Dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it, secila qeveri e ka favorizuar Arbëri Llumnica: Dikush i fuqishëm qëndron prapa KEDS-it, secila qeveri e ka favorizuar

Ai ka thënë se duhet të shkëputet kontrata me KEDS-in, kjo pasi sipas tij, KEK-u 1 megavat të energjisë elektrike e shet me 29 euro e gjysmë kurse KEDS-i e shet te qytetarët 58 euro.

“Unë dua të besoj që Qeveria po punon ta shkëpusë kontratën me këtë kompani. KEDS ka shkelje të mjaftueshme edhe karshi qytetarëve. Ka arsye të mëdha që kontrata të shkëputet në mënyrë që qytetarët ta përballojnë më lehtë çmimin e energjisë elektrike. KEDS-i është një mashtrues edhe ndaj qytetarëve por edhe i mashtron edhe punëtorët. Ne kemi thënë se nëse do të ishte kompania publike, qytetarët nuk do të paguanin para në veri të Kosovës”, ka thënë ai.

Llumnica ka shtuar se ende nuk kanë pasur takim me kryeministrin Albin Kurti, por ministren e Ekonomisë. Të njëjtës ai thotë se ja kanë shprehur shqetësimet e tyre.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të rritet numri i të punësuarve pasi mosha mesatare është shumë e vjetër. Gjithashtu thotë të kenë kërkuar edhe mjete mbrojtëse.