Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Lladrovci jep detaje rreth përplasjes me kryetarin e Kamenicës

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci

Foto: Kosova Press

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një konferencë për media ka dhënë detaje rreth “konfliktit” të tij me kryetarin e Komunës se Kamenicës, Kadri Rrahimaj në mbledhjen e sotme të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Lladrovci deklaroi se “tollovitë” e tilla nga metodat e VV-së janë “shkak i heqjes së vëmendjes nga publikimi i përgjimeve të diskutimit të shefes së grupit parlamentar, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radoiçiqin”.

Lladrovci, ka thënë se pas publikimit të përgjimeve, Lëvizjes Vetëvendosje siç tha ai “i ka humbur rruga në oborr”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Eskalimi i sotëm i katër kryetarëve të komunave që i udhëheq LVV, dhe nga Kuvendi i sotëm është vazhdim i mjegullës që u përpoqën ta shesin në mbledhjen e kaluar të Asociacionit. Pas publikimit të përgjimit të djeshëm të Radoiçiqit iu ka humbur rruga në oborr. Tollovitë e tilla të krijuara nga metodat e LVV me tendenca të heqjes së vëmendjes nga rënia e lirë e tyre në Drenas dhe krejt Kosovën është e pritshme”, ka thënë Lladrovci, raporton "KosovaPress". 

Kryetari i Drenasit, ka shtuar se pasi që u votua rendi i ditës, katër kryetarët nga VV-ja filluan të pengojnë punimet e mbledhjes së Asociacionit.

“Pasi që është votuar rendi i ditës me shumicën e votave të delegatëve të Asociacionit, ata filluan të pengojnë punimin e Asociacionit. Kjo ka qenë sot me shumë për ta mbuluar një gjë që e ka bo tashmë Vetëvendosje shpifjen, mashtrimin, gënjeshtrën, mospunën korrupsionin dhe të gjitha ato që po i shihni për ditë në Kosovë”, ka shtuar ai.

I pyetur se a ka shtyrë në formë fizike kryetarin e Komunës së Kamenices, Kadri Rrahimajn, Lladrovci nuk e pranoi një gjë të tillë.

Sipas tij, ai ka kërkuar që të largohen dhe të mbahet Kuvendi.

“Shpeshherë kam thënë se jam ‘bulldozher’ dhe kush më del përpara e marr pas vete, por nuk është e vërtetë që e kam shty. Unë kam kërkuar prej tyre, sepse sikur ata që kanë të drejtë me dal me e pengu zhvillimin e punimeve të Kuvendit edhe ne që jemi shumicë kemi të drejtë me thënë largohuni, lëshoni ta mbajmë kuvendin, sepse ne i kemi lënë punët e tona, nëpër komuna tona për me e mbajtur kuvendin”, ka vijuar Lladrovci.

I pyetur edhe se a ka pasur ndonjë ofendim nga kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahmiaj, Lladrovci u shpreh se “ nuk kam dëgjuar dhe nuk guxon kurrë me më lëshu fjalë, unë kam dinjitet”.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka publikuar një video, ku vërehet tension mes kryetarëve në mbledhjen e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Sipas tij, në këtë mbledhje u tentua të kontrabandohen procese të rëndësishme.