Ramadani: Nga mosshkuarja në zgjedhje më së shumti përfitoi LDK-ja, do të shkonte e përhumbur
Gazetari i “Nacionales” Arbër Ramadani ka thënë se më së shumti ka përfituar Lidhja Demokratike e Kosovës nga mosshkuarja në zgjedhje.
Ramadani ka thënë se po të shkonte vendi në zgjedhje, atëherë LDK-ja do të shkonte e përhumbur.
“Paradoksalisht pak më shumë se gjitha partitë nga situata e mbrëmshme përfitoi LDK-ja. A e di pse? Ka qenë partia e vetme politike që do të shkonte në zgjedhje pa asnjë kauzë madhore populliste. Do të shkonte në zgjedhje si me thënë, e përhumbur...Sipas mendimit tim, LDK-ja duhet t’i shfrytëzojë këto 4 vjet apo 3 sa do të jenë pa zgjedhje, ta shfrytëzojë kohën si asnjëherë më parë me u riorganizua. Vërtetë mendoj se Kosovës i duhen parti të forta”, tha Ramadani në “Konfront” të KTV-së.
Ramadani tha se nuk i vë faj Partisë Demokratike të Kosovës që arriti kompromis me Vetëvendosjen, pasi thotë se aktgjykimi i Speciales ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ndryshoi situatën.
Por, ai ka thënë se u kryen me shpejtësi dhe paqartësi procedurat e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai ka thënë se mbrëmë në Komision për legjislacion PDK-ja bëri një amandament, ishte në propozim, por e futi eksplicit se kinse vendimet që merr Kuvendi i Kosovës duhet përgjigjet Gjykata Kushtetuese në Kosovë e jo ajo në Hagë.
“Sy e vesh duhet t’i kemi te Haga, ombudspersoni i Hagës. Te shohim a po e dërgon si çështje në Kushtetuesen e Hagës, si po e interpreton Kushtetuesja e Hagës dhe çfarë ndodh me ndryshimet e bëra në ligjin”, tha ai.
Mustafa: Jemi ngopur nga loja ping-pong mes partive politike
Ish-kryetari i Gjilanit Qemajl Mustafa, ka thënë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga loja ping-pong, që sipas tij, kanë bërë liderët dhe subjektet politike në dy vjetët e fundit.
Sipas Mustafës kjo i ka ndodhur një shumicë të madhe të qytetarëve.
“Shumica e madhe e qytetarëve të Kosovës janë gëzuar që iu vendos pika mbrëmë këtij procesi, sepse jemi lodhur, jemi ngopur bile muaj përpara, më gjithë këto diskutime të njëtrajtshme edhe me gjithë këtë ping-pong që është luajtur në mes të subjekteve politike dhe të liderëve”, ka theksuar Mustafa në emisionin “Konfront” në KTV.
“Është krijuar një bindje te një masë e madhe e popullsisë sikur të mos ekzistojë qëllimi i mirë për ta stabilizuara shtetin dhe jo vetëm prej njërës palë”, ka shtuar Mustafa.
Hajrullahu për votimin e Ligjit dhe zgjedhjen e presidentit: Kompromis i zorit
Kryeredaktori i Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, ka thënë se votimi i mbrëmshëm në orët e vona i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe i votimit të Justina Shiroka-Pulës për presidente të Kosovës, ishte “kompromis zori” i Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Hajrullahu në “Konfront” të KTV-së ka thënë se edhe në këtë qeveri si në vitet e fundit “po na ndjek nata”.
“Nëse në të kaluarën janë kritikuar tjetër që natën po kryhen punët, mbrëmë i dhamë zor 5 në 12. Fatkeqësisht kjo po na përcjell e nuk është mirë. Kur po vjen momenti i fundit atëherë po gjendet një kompromis”, tha Hajrullahu.
Hajrullahu tha se emri i Justina Shiroka-Pulës si kandidate për presidente ishte përmendur qysh muaj më parë dhe ka mundur të përfundohet puna për çështjen e presidentit më herët e jo në momentet e fundit.
Ai ka thënë se është shumë mirë që çështja është mbyllur pasi do të shkohej në një gjendje katastrofale tensioni.
“Nuk ishin pamje të mira në Kosovën e vitit 2026 me pa një çështje kaq të thjeshtë të procedurës që mund të kryhej në pikë të ditës, e të shkonte atë mënyrë. Mund të kalonte afati edhe për Ligjin edhe për presidentin. U dit se ishte kompromis i zorit e nuk ishte i qejfit, për të dyja palët”, tha Hajrullahu.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e re e Kosovës me 81 vota pro. Votimi u mbyll pak pas mesnatës të së martës, që ishte afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Paraprakisht u votuan në lexim të dytë ndryshimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Molliqaj: PDK-ja dhe LDK-ja ekzistojnë vetëm për t’ia zgjedhur Kurtit presidentin
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurtin për kapje të institucioneve, ndërkohë që partitë opozitare – PDK e LDK – ka thënë se i shërbejnë Kurtit.
Ai ka theksuar se zgjedhja e presidentit të martën vonë ishte rezultat i planifikuar i Kurtit duke shtuar se ky i fundit do institucione “por i do sipas kushteve të veta”.
“Ishte rezultat i planifikuar i Albin Kurtit, dorëzim i partive opozitare. PDK dhe LDK ekzistojnë vetëm për dy arsye, njëra është t’ia zgjedhin presidentin Kurtit dhe e dyta sa me e plotësu atë kushtin formal me ekzistu opozita”, ka thënë ai në “Konfront”.
Molliqaj ka thënë se presidentja e zgjedhur është “e dobishme për çka i vyen Kurtit”, teksa shtoi se kryeministri po merr “gjithçka në kontroll”.
“Kosova e ka rrumbullakuar ciklin parafinal të kapjes së të gjitha institucioneve. U kry ky cikël. Cikli i fundit është gushti i vitit të ardhshëm ku disa gjyqtarë të Kushtetueses e përfundojnë mandatin, por është i parëndësishëm më. Në rastin e Gjykatës Kushtetuese Kurti tash ka gjithçka në kontroll. Ja do të mbesim pa gjykatë, ja do t’i zgjedhë gjyqtarët qysh ai do”.
E sa i përket Ligjit për Gjykatën Speciale të ndryshuar të martën me votat e deputetëve të Kosovës, Molliqaj ka deklaruar se efekti i tij është zero.
“Ky është mashtrim i qëllimshëm, i vetëdijshëm deri në fund. Garantoj se efekti i këtij ligji është zero. S’ka deputet të PDK-së që nuk e di që ky ligji ka zero efekt”.
VIDEO: