Bislimi: Serbia refuzoi të hynte në takim me agjendën e dakorduar
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se është mister se si s’ka pasur takim trilateral në Bruksel, ndonëse sipas tij, ftesa e të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, paralajmëronte se do të kishte takim të tillë.
Ai ka thënë të martën se pala serbe e ka refuzuar takimin trilateral, duke kërkuar “futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik”.
“Edhe për ne është pak mister sepse ftesa ka qenë shumë e qartë e zotit Lajçak që do të ketë së pari të ketë takim bilateral dhe kanë qenë të propozuara temat apo agjenda e takimit bilateral, pastaj është thënë që në takimin trilateral do të diskutohet rruga përpara në marrëveshjen e normalizimit dhe mund të vendosen edhe tema të tjera nëse ka dakordim mes dy palëve. Ne jemi pajtuar me këtë ftesë, e kemi konfirmuar edhe pjesëmarrjen në takimin trilateral, por si duket Serbia pastaj ka refuzuar të hyjë me atë agjendë dhe ka kërkuar futjen e temave të saj të cilat janë për konsum politik, çka ne nuk kemi qenë dakord”, ka deklaruar Bislimi.
Sipas tij, në ftesë thuhej se temat e tjera mund të futen në diskutim vetëm me dakordimin e palëve, e “rrjedhimisht trilateral nuk ka mundur të kushtëzohet me pranimin ose jo të propozimeve të palës tjetër”.
Ai ka shtuar se kushtëzimi i agjendës “duket ka qenë që Serbia s’ka pranuar të hyjë në takim”.
“Ne kemi kërkuar edhe sot nga zoti Lajçak që të demantojë raportimet që të dyja palët s’kanë qenë të gatshme për takim trilateral për arsye se ne në plotni e kemi ndjekë ftesën e Lajçakut. Ka qenë Serbia që s’ka pranuar të hyjë, për aq kohë sa nuk janë pranuar propozimet e saj me temat që sot kanë të bëjnë me konsum politik në Serbi”, është shprehur Bislimi.
Ai bëri të ditur se kanë diskutuar një varg çështjes, por kryesorja ka qenë rruga drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit. Bislimi bëri të ditur se kanë folur edhe për temën e telekomunikacionit, pasi më parë kanë njoftuar Brukselin zyrtar “për shkeljet që po i bën Serbia të marrëveshjes duke interferuar në frekuenca brenda territorit”.
“Po ashtu edhe për temën e dakorduar që në një të ardhme të bisedohet për shërbimet postare. Kishte ftuar ekspertë të komisionit që na treguan direktivat e Komisionit Evropian dhe këto ishin për ne jashtëzakonisht të vlefshme. Nga këto prezantime e pamë të qartë se në fakt, sipas interpretimit të tyre, Kosova është në plotëni në rrafshin e shërbimeve postare, në harmoni me direktivat e BE-së, përderisa Serbia vetëm pjesërisht. Po ashtu thonë se askund në BE nuk tolerohen veprime apo operime ilegale të kompanive që bëjnë shërbime postare dhe rrjedhimisht ka qenë shumë e denjë nga ana jonë që të mbyllet e njëjta”, ka thënë tutje Bislimi.
Duke komentuar masat dhe kërkesat e propozuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën, Bislimi ka thënë se më shqetësuese se konferenca e ka parë mosreagimin ndërkombëtar.
“Ajo që për mua ka qenë brengosëse, jo përmbajtja, raportimi apo konstatimet e tij, por fakti që këto konstatime të tij nuk kanë hasur në brengë apo reagim të ashpër nga Komisioni Evropian apo nga Bashkimi Evropian, por ajo që është zgjedhur është që nga një takim 40-50 minuta të zgjidhen dy minuta që mund të interpretohen pozitivisht dhe i gjithë reagimi është marrë me ato dy minuta e jo me përmbajtjen shumë të rrezikshme të këtij adresimi”, ka thënë tutje ai.
“Për mua është e pakapshme që Bashkimi Evropian nuk e sheh si brengosëse që të gjitha konstatimet kanë si pikënisje në narrativë artificiale dhe të pavërtetë mbi zhvillimet në Kosovë. Për informimin tuaj, edhe Marrëveshja për MTS-in dhe ajo për Elektroseverin e ka shumë të qartë të stipuluar që gjithçka zhvillohet në bazë të kornizës ligjore të Kosovës. Zoti Vuçiq me këto marrëveshje e ka pranuar që nga Merdarja e këtej është zonë ku ka kornizë tjetër ligjore. Ku ka zero ingerenca të Serbisë dhe pastaj gjithçka që ndodh brenda kësaj zone bëhet sipas kornizave ligjore të Republikës së Kosovës. Kurse pastaj thotë le të kthehen policët, le të kthehen gjykatësit, që në fakt është ftesë për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën t’i korrigjojnë dështimet e tij politike. Mendoj se kjo është arsyeja me të cilat është dashur të merret BE-ja dhe jo me ftesën e tij që serbët të marrin pjesë në zgjedhje. Ai këtë ftesë e ka bërë edhe para zgjedhjeve të prillit, por e dimë se si ka përfunduar”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se pret që deri në fund të mandatit të Lajçakut deri në fund të janarit mund të ketë takime të kryenegociatorëve, por jo edhe të liderëve.
S’ka takim trilateral në Bruksel
Nuk ka pasur takim trilateral në rundin e dialogut të martën në Bruksel.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është takuar dy herë me ndërmjetësin Miroslav Lajçak.
Për mosmbajtjen e takimit trepalësh me kryenegociatorin serbe Petar Petkoviq, Bislimi akuzoi Serbinë se “e kushtëzoi agjendën e takimit me kërkesa të papranueshme për Kosovën”.
Përfundon një rund takimesh bilaterale në Bruksel
Ka përfunduar një rund i takimeve bilaterale në Bruksel. Fillimisht me ndërmjetësin evropian është takuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e më pas edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq.
Siç shkruan mediumi publik, Bislimi ka nisur takimin me emisarin Miroslav Lajçak me fillim prej orës 9 dhe takimi ka zgjatur dy orë. Më pas me Lajçakun është takuar kryenegociatori nga Serbia.
Akoma s’ka konfirmim nëse do të ketë takim trepalësh apo vazhdim të takimeve bilaterale.
Në Bruksel vazhdon dialogu, s’dihet a do të ketë takim trepalësh
Takime në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi do të ketë sot (e martë, 17 shtator). Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të ketë takime trepalëshe mes kryenegociatorëve të shteteve dhe ndërmjetësve evropianë.
Siç ka njoftuar një ditë më parë Qeveria, drejt Brukselit tashmë ka udhëtuar zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori nga Kosova, Besnik Bislimi.
Vazhdimin e procesit të dialogut e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian. Në përgjigjen e zëdhënësit Peter Stano është thënë se agjenda është rruga përpara në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe çështjet që po ndikojnë në normalizim mes Kosovës dhe BE-së.
Por as Qeveria e as Brukseli nuk kanë bërë të ditur nëse do të ketë takime trepalëshe.
Pritje nga takimi nuk ka kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq.
Të premten e javës së shkuar, zv.kryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se Serbia ka refuzuar takimin trelateral. Sipas tij, Serbia është përpjekur që në këtë takim “të imponojë pika të agjendës, të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”.
Pretendimet e Bislimit në lidhje me refuzimin e Serbisë nuk i ka konfirmuar e as nuk i ka hedhur poshtë Bashkimi Evropian.
Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviqi, për herë të fundit janë takuar në fillim të korrikut. Takimi mes tyre u pat zhvilluar pas atij që emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, zhvilloi ndaras me ta.
Pas takimit trepalësh, Lajçak pati deklaruar se me Bislimin e Petkoviqin janë dakorduar për një sërë hapash në vazhdim, pa ndarë hollësi të tjera.
E zv.kryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se pala serbe ishte e interesuar vetëm për një pikë të marrëveshjes bazike, atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Këmbënguljen për themelimin e Asociacionit e pati konfirmuar edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.