Liderët shtetërorë të Kosovës kanë uruar për 13-vjetorin e Pavarësisë së shtetit.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në Facebook ka postuar fotografi nga ngritja e flamurit shtetëror në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. “Urime dita e pavarësisë së shtetit tonë të dashur”, ka shkruar shkurt ajo.
Fotografi nga kjo ceremoni ka shpërndarë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ndarë fotografi me dy ish-krerët e kësaj partie, Hashim Thaçi e Kadri Veseli që gjenden në Hagë në paraburgim pas aktakuzave nga Gjykata Speciale për krime lufte.

“Sot kur festojmë 13 vite shtetësi, me zemër e mendje jemi me liderët e Kosovës që padrejtësisht gjenden në Hagë. Për 13 vite me radhë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli punuan çdo ditë për zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Çdo moment të jetës së tyre ia kushtuan përmbushjes së amanetit të dëshmorëve për liri e pavarësi. Këtë premtim do të vazhdojmë ta mbajmë dhe ta jetësojmë çdo ditë si Parti Demokratike, pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot Kosova është më e mirë sesa para 13 vitesh. Partia Demokratike do të jetë gardiani i vlerave demokratike sot dhe përgjithmonë. Për qytetarët. Me qytetarët. Urime Dita e Pavarësisë”, ka shkruar ai në Facebook.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar përmes rrjeteve sociale. Ai ka postuar fotografi me Policinë e Kosovës teksa ka shkruar shkurt “13-vjetori i Kosovës së pavarur. Urime!”
Edhe
Krerët shtetërorë nderojnë të rënët me homazhe, kujtojnë ata që dhanë jetën për lirinë e vendit

Në një urim për qytetarët, kryetari i dorëhequr i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se shpallja e pavarësisë më 2008 ishte ndër momentet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës.
“Rruga deri të pavarësia ishte një rrugë me sakrifica dhe mund i një populli të tërë të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për ta çliruar shtetin. Projektues i pavarësisë dhe i themelimit të shtetit të Kosovës është arkitekti i saj, Dr. Ibrahim Rugova. Ai me vizionin e tij properëndimor fitoi mbështetjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare sidomos nga SHBA-të që ta përkrahin Kosovën në arritjen e lirisë, krijimin e shtetit dhe po vazhdojnë në konsolidimin e tij. U jemi mirënjohës përjetësisht Familjes së Komandantit Legjendar, Adem Jashari, dëshmorëve të kombit dhe të gjithë atyre që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në përpjekjet e tyre të pareshtura për liri, çlirim dhe shtetndërtim. Në këtë 13 vjetor Kosova ka arritur shumë suksese pavarësisht rrethanave sfiduese që i ka hasur gjatë rrugëtimit të saj gjatë këtyre viteve. Rruga e vetme për ta bërë Kosovën shtet të anëtarësuar në BE, NATO dhe OKB, është puna e zellshme në përmbushjen e detyrimeve si shtet si në aspektin e brendshëm, zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit si dhe ruajtjen e partneritetit më SHBA-të, ngase pa ndihmën e tyre sot nuk do festonim çlirimin. LDK-ja mbetet e përkushtuar që ta ruaj dhe konsolidoj shtetin tonë ngase kjo Republikë është projekt i ynë i përhershëm. Urime, 17 shkurti, Dita e Pavarësisë!” ka shkruar ai.
Urime kanë ardhur edhe nga krerë shtetërorë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka uruar duke ndarë një fotografi të veçantë.
