Liderët institucionalë kanë çmuar rolin e ish-ambasadorit të misionit verifikues së OSBE-së, William Walker, në sensibilizimin ndërkombëtar për masakrat në Kosovë në 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut. Në akademinë përkujtimore të mbajtur në Shtime, liderët e kanë vlerësuar lart kontributin e Walkerit, derisa thanë se roli i presidentit aktual të Serbisë ka qenë dhe është ai i fshehjes e fabrikimeve lidhur me të vërtetën e Reçakut.
Liderët institucionalë e ata të partive politike kanë vendosur kurora lulesh në Memorialin e Reçakut, që nderon 45 të vrarët nga policia e ushtria serbe e jugosllave në 1999-n.
E në një akademi përkujtimore në 24-vjetorin e masakrës, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti e çmuan lart deklaratën e ish-shefit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili pasi kishte ecur mes kufomave kishte deklaruar se ajo ishte krim kundër njerëzimit.
Në të njëjtën kohë, ata e kujtuan se presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë në mohimin dhe shtrembërimin e Masakrës së Reçakut.
“Të masakruarit mbase do të vriteshin për së dyti nga propaganda e makinerisë e gënjeshtrës informative, që atë kohë e udhëhiqte presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sikur ish-shefi verifikues i OSBE-së, William Walker të mos kishte lëshuar një kushtrim gjithandej. Ai tha: Nga ajo që pashë nuk ngurroj ta përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Është ngjarja më trishtuese në jetën time”, ka thënë Osmani.
“Ajo u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe më të fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s, e cila do të vinte pas dy muajsh. Për këtë meritat më së shumti i takojnë ambasadorit amerikan që kryesonte misionin verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ai pati kurajën ta përshkruante atë që pa me emër të vërtetë – që ajo ishte masakër dhe krim kundër njerëzimit”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti.
Ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker, që aktualisht është duke punuar edhe në një libër mbi kujtimet e tij për masakrën, tha se fshati Reçak ka kuptim të madh për të.
Sipas Walker-it, mbulimi i shtypit ndërkombëtar s’e la të heshtej Reçaku dhe si pasojë edhe u aktivizuan udhëheqësit ushtarakë e politikë ndërkombëtarë.
“Të nesërmen bota e dinte Reçakun. Ishte në ballinat e të gjitha gazetave të botës, dhe kjo e nisi një proces ku Qeveria në Beograd, z. Milosheviq, z. Shainoviq, z. Vuçiq, nisën të bënin gjëra që mendonin se ishin shumë të mençura që të siguroheshin që bota të mos dëgjonte apo ta pranonte versionin e tyre për Reçakun. Shyqyr Zotit që s'u bë ashtu. Shtypi ndërkombëtar erdhi këtu e edhe televizionet e botës i patëm pamjet e asaj që po ndodhte në Kosovë dhe shyqyr Zotit Bill Clintonit, Madeline Albrightit, Toni Blairit, Wes Clarkut e NATO-s iu desh të bënin diçka, dhe kjo e solli fushatën e NATO-s”, ka thënë Walker.
Mohimin e krimeve të luftës e kritikoi edhe ambasadori amerikan Jeff Hoveier, i cili tha se një gjë e tillë “rihap plagët e të mbijetuarve dhe kthen rajonin prapa në përpjekjet drejt një konsolidimi demokratik”.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar faktin që Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë ku Serbisë i kërkohet ta pranojë kryerjen e gjenocidit, krimeve të luftës, të atyre kundër njerëzimit.
Ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shkruar se ngjarja e 15 janarit të 1999-tës është si një prej akteve më të rënda e tronditëse për vendin.
Ndërsa kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Masakra e Reçakut është provë e “pakundërshtueshme e gjenocidit dhe e spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar”.