LDK-ja e Ferizajt në një konference shtypi, të premten, ka akuzuar qeverisjen e kryetarit Agim Aliu për një varg shkeljesh ligjore derisa projekti 4- milionësh i ashtuquajtur “Bashkimi i qytetit” ka nisur pa zotim mjetesh, pa i përfillur dokumentet strategjike dhe në kundërshtim me PZHK-në.
Po ashtu LDK-ja ka akuzuar Komunën edhe për vazhdimin e seancës së fundit të KK-së në të cilën sipas saj, në mënyrë të jashtëligjshme është marrë vendimi për marrëveshjen e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimin Komunë – “Caritas Kosovës”, e cila ka për qëllim rikthimin e projektit “Ngritja e përkujdesit social-shëndetësor, shtëpiak dhe ambulantor në Ferizaj”, shkruan sot Koha Ditore.
LDK-ja , në konference ka deklaruar se janë në përfundim të mbledhjes së nënshkrimeve së bashku me Vetëvendosjen për ta thirrur zyrtarisht një mbledhje të jashtëzakonshme rreth projektit “Bashkimi i qytetit”.
Gëzim Kokollari, këshilltar nga radhët e LDK-së, ka thënë se ky projekt ka nisur vetëm si një premtim elektoral i kryetarit të Aliu, për të cilin nuk është bërë ndonjë studim i fizibilitetit dhe në kundërshtim me dokumentet strategjike të Komunës si planifikimin urban të qytetit, ZHK-në etj./ Agim Ademi
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)