Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

LDK-ja kritikon Qeverinë: Populizmi nuk e ndalë variantin Delta

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar 100-ditëshin e punës së Qeverisë Kurti për mosmenaxhim të mirë të pandemisë së koronavirusit. Përmes një komunikate, LDK-ja ka thënë se Kosova ka vetëm nëntë për qind të popullatës të vaksinuar, duke u renditur kështu si vendi i fundit në Evropë.

Partia opozitare ka theksuar se populizmi nuk e ndalon variantin e COVID-19 të quajtur Delta, dhe se masat e pakontrolluara vazhdojnë ta dërgojnë vendin drejt mbylljes, duke pasur “kosto enorme për ekonominë dhe jetën publike”.

“Tubimet e mëdha, e të hapura, pa një vaksinim paraprak, i kanë kontribuar gjendjes së tanishme. Në anën tjetër menaxhimin e pandemisë e bënë edhe më të vështirë largimi i rreth 650 anëtarëve të stafit të infermierëve nga klinikat që merren me trajtimin e pacientëve me COVID 19. Lëvdatat e thata më s’bëjnë punë. Meritat e përvetësuara edhe më pak. Neglizhenca e një Qeverie praktikante, është dëmi shoqëror i gjithë kosovarëve”, thuhet tutje në komunikatën e kësaj partie.