Arbëri

Evropa në alarm nga COVID-19, Kosova rrezikon një valë të re

Përderisa pjesa më e madhe e Evropës është në situatë të rëndë me COVID 19, institucionet kosovare publikisht nuk kanë folur nëse kanë projeksione për një valë të re pandemike. Megjithatë, në QKUK thonë që një e tillë është e pashmangshme, ndonëse, sipas tyre, intensiteti i saj do të jetë me i vogël se i valës paraprake

Kosova mbetet një nga vendet më stabile me COVID-19, por institucionet kyç nuk dihet nëse janë duke marrë veprime konkrete.

Përderisa pjesa më e madhe e Evropës është duke shënuar rekord rastesh të reja, Kosova ende nuk ka dalë me plan konkret për rrezikun eventual të valës së re.

E një gjë e tillë nuk është bërë edhe pas konfirmimit të pranisë në Kosovë të variantit Delta Plus.

Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, Gjermania ka shënuar mbi 50 mijë raste pozitive me koronavirus. E zëvendëskancelari i Gjermanisë në një fjalim para Bundestagut gjatë se enjtes ka folur për domosdoshmërinë që gjermanët ta marrin vaksinën përforcuese.

“Natyrisht, ne tani duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që miliona qytetarë të marrin një vaksinë përforcuese. Kjo është detyra e javëve dhe muajve të ardhshëm”, ka thënë Olaf Scholz.

Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) ka renditur shtetet në gjendje më kritike. Situata në Kroaci nuk është e mirë e Sllovenia është në zonën e kuqe. Edhe shtetet e rajonit, si Mali e Zi e Serbia po kalojnë periudhë të rëndë.

Përderisa në Kosovë në 24-orëshin e fundit janë paraqitur 6 raste të reja, institucionet nuk kanë folur për atë nëse ka projeksione që kjo valë që ka përfshirë Evropën ta përfshijë edhe Kosovën.

Nga IKSHPK-ja askush nuk është deklaruar për KOHËN, e në Klinikën Infektive kanë thënë se kjo çështje është punë e këtij institucioni.

Megjithatë, në Klinikën e Pulmologjisë kanë thënë se janë në pritje të një vale të re. Drejtori i kësaj klinike, Musa Hoxha, ka deklaruar që kjo valë pritet të jetë me intensitet më të ulët sesa vala paraprake.

“Sa i përket pandemisë, institucionet shëndetësore përgjithësisht kanë bërë edhe një përvojë, në veçanti Klinika jonë e Pulmologjisë dhe kështu që jemi gjithmonë të përgatitur për çfarë do vale të re edhe pse pritet vale tjetër, por mendojmë që jo e përmasave çfarë ka qenë tash vala e fundit, vala e gushtit dhe shtatorit. Kurse sa i përket gatishmërisë normalisht që gjithë gatishmëria është në nivelin më të lartë të mundshëm për çdo rast”, ka thënë ai.

I vetmi deklarim i Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me valën e re të mundshme është ftesa për qytetarët që e kanë kaluar COVID-19 që të vaksinohen 2 javë pas të shërimit nga virusi.

Varianti Delta Plus, që së fundi është paraqitur në Kosovë, është një mutacion i variantit Delta. Ai është identifikuar për herë të parë në korrik të këtij viti në Britani. Edhe pse ky variant ende është duke u monitoruar, ai është konsideruar si ndër variantet më shqetësuese të koronavirusit. Ky variant është konsideruar të jetë për 10 për qind më i transmetueshëm se varianti Delta i COVID-19, i cili është më i transmetueshëm se variantet e tjera. Ndërsa ai është konsideruar se bart të njëjtin rrezik të shtrimit në spital si varianti Delta.