Arbëri

LDK-ja e ndarë në dysh për takimin me Kurtin dhe Osmanin, PDK-ja e AAK-ja konfirmojnë pjesëmarrjen

Të ndarë në dysh janë anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen apo jo në takimin e ftuar për të hënën nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ish-nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.

Ndonëse është shprehur i hapur për biseda e dialog, kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa, ka thënë se nuk mund të flasë se kur LDK-ja do të jetë e gatshme të marrë pjesë në takime të tilla.

“LDK-ja gjithherë ka qenë e hapur për biseda dhe dialog. Nuk jemi barrikaduar si të tjerët dhe nuk i kemi gjuajtur të tjerët me gaz e me molotov, kur është dashur të bisedonim. Kuvendi është i të gjithëve, jo vetëm i atyre që janë renditur të parët. Nuk shoh asgjë të keqe nga bisedat për përgatitjen e konstituimit të Kuvendit, porse kur LDK-ja do të jetë e gatshme të marrë pjesë, nuk mund të flas”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, nga katër kandidatët për të parin e LDK-së, vetëm Anton Quni dhe Besian Mustafa kanë bërë të ditur qëndrimin e tyre për takimin e paralajmëruar.

Derisa Quni ka thënë se për një gjë të tillë do të vendoset pas konsolidimit të trupave vendimmarrëse, Mustafa është shprehur i gatshëm për të marrë pjesë në këtë takim, në rast se zgjidhet në krye të LDK-së.

“Posa të konsolidohen trupat vendimmarrëse të LDK-së pas zgjedhjeve të 14 marsit, do të duhej te këtë bashkëbisedim ndërpartiak për çështjet e interesit të përbashkët shtetëror”, ka thënë Quni.

“Parimisht, gjithnjë jam për debat dhe diskutim. Prandaj do t’i përgjigjem pozitivisht ftesës për takim konsultativ”, është shprehur Mustafa.

Ftesës së Kurtit e Osmanit pozitivisht i janë përgjigjur edhe nga PDK-ja.

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e së hënës. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”, ka deklaruar zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.

Përveç konfirmimit të pjesëmarrjes, detaje lidhur me qëndrimin e tyre karshi takimit e çështjeve që do të diskutohen nuk kanë dhënë as nga AAK-ja.

“Z. Kurti duhet të tregojë natyrën e takimit kur zhvillohet ai dhe atëherë do të shohim se si do të zhvillohet më tutje”, ka thënë Ardian Gjini, nënkryetar i partisë.

Të enjten Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar në takim subjektet politike, të cilat kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Sipas ftesës, takimet planifikohen të mbahen të hënën, duke filluar në orën 11:00 me PDK-në, për të vazhduar më pastaj me LDK-në e me AAK-në.