Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çështja e presidentit futet në orët e fundit pa marrëveshje politike

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike kanë zhvilluar të martën takimin e tretë në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje zgjedhjes së presidentit të ri. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se takimi nuk ka prodhuar asgjë të re. E, grupi parlamentar i LDK-së ka mbajtur mbledhje, pas së cilës zëdhënësi i partisë, Besian Mustafa, ka theksuar se për Lidhjen Demokratike janë dy opsione - marrëveshja LVV-LDK, ose konsensusi i të gjitha partive

As pas takimit të tretë në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe njëherësh kryeministrit Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, nuk i është bërë zgjidhje çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri. 

Kurti e ka quajtur takimin e mbajtur në mëngjesin e të martës si konstruktiv, porse nuk ka dhënë detaje të tjera mbi diskutimet e zhvilluara gjatë tij. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive, mirëpo kur ka diçka të re do t’ju njoftojmë. Ende nuk i kemi zgjidhjet mirëpo do t’ju njoftojmë së shpejti”, është shprehur ai.

Takimi i së martës është i treti që Kurti e ka zhvilluar për çështjen e presidentit me Abdixhikun, pas atij të së hënës, si dhe të hënës së javës së shkuar. 

Pas takimit të fundit, i cili është zhvilluar në objektin e Kuvendit, grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike ka mbajtur mbledhje. Pas kësaj mbledhjeje, zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, ka theksuar se LDK-ja nuk ka numra që ta propozojë ndonjë kandidat, porse e ka vullnetin për të gjetur zgjidhje. E zgjidhja, sipas tij, i ka dy alternativa.  

“E para është një konsensus i gjerë politik, pra një kandidat që vjen si pajtueshmëri nga të gjitha partitë politike; dhe e dyta është një marrëveshje politike klasike mes dy partive, në këtë rast pushtetit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Natyrisht, më lejoni të cek këtu që pushteti i ka 66 ulëse në Kuvend, pra ka 66 deputetë, 66 vota dhe në asnjë format kjo gjë nuk bëhet pa ta”, ka theksuar Mustafa. 

Në kuadër të asaj që e ka quajtur “marrëveshje klasike mes dy partive”, Mustafa ka thënë se nuk është në tavolinë përfshirja e LDK-së në Qeveri.

“Hapat që ka ndërmarrë partia në pushtet deri tani kur ka themeluar qeverinë, ka miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, ka miratuar dhe buxhetin, nënkuptojnë në vetvete që kjo nuk është në tavolinë”, është shprehur ai.

Mustafa nuk ka bërë paralajmërim për zhvillimin e takimeve të tjera, porse ka theksuar që zgjidhja mund të kërkohet deri më 5 mars, në orën 24:00, kur edhe përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri. 

E deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka shkruar në rrjetin social Facebook për “kushtëzim me shantazh, me kërcënim”, ndërsa i ka komentuar diskutimet e fundit lidhur me çështjen e presidentit.

Ajo ka shkruar se kjo metodë është duke u përdorur tani nga kryeministri Kurti, duke iu referuar takimit me kryetarin e LDK-së.

“Megjithatë, jo veç unë që s'do t’i nënshtrohem këtij kushti, po vota pro ose kundër sa për kuorum nga një deputet nga opozita të cilësdo parti për kandidat të partiak të pushtetit është vrasje e demokracisë edhe e lirisë në vendimmarrje. As Glauk Konjufca, as asnjë numër tjetër serik i partisë (kësisoj i ka paraqitur Kurti), nuk duhet të marrë postin e presidentit”, ka shkruar ajo.

Para takimit Kurti-Abdixhiku, kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia në pushtet është e interesuar që kandidati i propozuar për president ta sigurojë kuorumin.

“Teknikisht Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë nënshkrimet për dy kandidatë ndërkohë që deputetët e Kuvendit, teknikisht, mund t’i kenë nënshkrimet për katër kandidatë dhe ne jemi të interesuar që nënshkrimet tona të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit/kandidates që do të votohet edhe do të marrë votat, gjegjësisht që do të sigurojë pjesëmarrjen e më shumë se 80 deputetëve”, ka thënë ajo.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para të votimit, ose 61 vota në rundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.

Kurti ka deklaruar më herët se beson që Murat Jashari, i biri i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit, do të jetë figurë e përshtatshme për postin e presidentit. Por megjithëkëtë, Murat Jashari ka bërë të ditur se nuk ka ambicie për këtë pozitë.

Ndryshe prej tij, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka shprehur synimin për edhe një mandat në krye të shtetit, mirëpo Lëvizja Vetëvendosje, e cila e pati propozuar atë në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate. E në partitë opozitare e kanë kritikuar Osmanin për “njëanshmëri në favor të Qeverisë”.

Për çështjen e presidentit, Kurti ka pasur dy takime edhe me Bedri Hamzën e Partisë Demokratike (PDK). Pas takimit të dytë të mbajtur të shtunën, Hamza është shprehur se propozimi i tij i fundit për të shmangur zgjedhjet është që PDK-ja ta propozojë një kandidat dhe që LVV-ja ta mbështesë atë. Megjithëkëtë, Kurti e ka interpretuar këtë si gatishmëri për garë. Por Hamza e ka refuzuar garën, duke thënë se “rezultati dihet”.

Sipas Kushtetutës, për ta propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 nënshkrime të deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje i ka 57 deputetë, ndërsa asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.
Kurti ka thënë që në rast se nuk arrihet marrëveshje për një figurë me mbështetje të gjerë, atëherë një nga opsionet është që secila parti ta propozojë kandidatin e vet dhe që procesi të zhvillohet nëpërmjet garës në Kuvend.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim për president ka shprehur edhe akademiku dhe ish-ministri, Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë e tjera.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë  ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Presidentja Osmani u pati zgjedhur më 4 prill të 2021-tës.

Nëse Kuvendi dështon që ta zgjedhë presidentin brenda afateve kushtetuese, vendi përballet me shpërndarje të Kuvendit dhe me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Afat për zgjedhjen e presidentit, sipas kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka deri më 4 mars.