21:55 - Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se i ka përcjellë me vëmendje ngjarjet e sotme në veri të vendit.
“LDK-ja, si gjithherë, e vlerëson profesionalizmin e treguar nga Policia e Kosovës dhe u jep mbështetje të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në ushtrimin e sovranitetin shtetëror në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, LDK-ja dënon provokimet e vazhdueshme të Qeverisë së Serbisë, dhe fton komunitetin ndërkombëtarë të përdorë ndikimin për të parandaluar provokimet e tilla që rrezikojnë stabilitetin në rajon”, thuhet në reagimin e LDK-së.
LDK-ja kërkon që ngjarjet e tilla të mos përdoren për qëllime politike nga askush.
“LDK-ja shpreh besimin se veprimet e institucioneve të Kosovës janë të mbështetura edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Si partia më e madhe politike në vend, LDK-ja do të jetë e vendosur të mos lejojë askënd të nëpërkëmb shtetësinë e Kosovës dhe do të kërkojë përgjegjësi institucionale nga të gjitha institucionet e mandatuara sipas Kushtetutës për të mbrojtur rendin, sigurinë e qytetarëve dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Kërkohet krijimi i qeverisë së unitetit
21:23 - Kreu i Lëvizjes për Bashkim ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të thërrasë partitë për krijimin e një qeverie të unitetit, dhe vendi të mos mbesë peng i Listës Serbe.
“Kryeministri Haradinaj të shkarkojë zv.kryeministrin Jevtiq dhe ministrin Rikallo për shkak të pjesëmarrjes në takime ilegale dhe qëndrimeve anti-shtet. Presidenti Thaçi të thërras partitë për të krijuar qeverinë e unitetit që për kohë të limituar do të çonte përpara proceset më të rëndësishme për Kosovën. Ne nuk e kemi luksin për të mbetur peng i Listës Serbe”, ka thënë Murati.
Deda: Nuk guxojmë të biem pre e euforisë
21:05 - Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se shteti i Kosovës sot tregoi që nuk lejon të nëpërkëmbet nga ata që ishin bashkë në qeverisjen e Millosheviqit.
“Arrestimi i Marko Gjuriqit është veprim i qëlluar, dhe duhet t’i tregojë Serbisë që nuk munden më eksponentë të Qeverisë së Beogradit të vijnë e provokojnë në Kosovë. Ajo kohë ka perënduar një herë e përgjithmonë me 1999”, ka thënë Deda.
“Në këtë përplasje sovranitetesh sot, Kosova fitoi. Por, nuk guxojmë të biem pre e euforisë. Tash duhet me shumë mençuri të bëhet çdo hap i radhës”, ka thënë Deda tutje.
MPJ: Hyrja ilegale e zyrtarëve shtetërorë është tentim për eskalim të situatës
20:26 - Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerëson se veprimi i sotshëm ilegal i zyrtarëve të lartë nga fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e Marrëveshjes së Brukselit.
Komunikata e MPJ-së:
Në kohën kur Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të dialogut për arritjen e një Marrëveshjeve të Detyrueshme Ligjore/Traktat Paqeje në mes dy vendeve, hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetëror serb në territorin e Republikës së Kosovës është një provokim, tentim eskalimi i situatës në terren për të forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhënieve ndër-etnike.
Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, kanë arritur Marrëveshje, e cila specifikon në mënyrë të qartë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dyja shtetet respektive.
Andaj, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se veprimi i sotshëm ilegal i zyrtarëve të lartë nga fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e Marrëveshjes së Brukselit.
Ministria e Punëve të Jashtme mbetet e përkushtuar për dialog, promovim të mëtejmë të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përmirësimin e mirëqenies të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, por nuk do të heshtë dhe tolerojë sjellje të tilla.
Ministria e Punëve të Jashtme thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës.
Vetëvendosje e lidh aksionin në veri me darkën e Thaçit me Vuçiqin
19:49 - Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur qëndrimin se qytetarët e Kosovës, të shqetësuar e të ekzaltuar po ndjekin nëpërmjet mediave ngjarjet e fundit në Mitrovicë.
“Më të shqetësuarit janë banorët e vetë Mitrovicës, qytetit të ndarë, i cili për dy dekada me radhë mbetet peng i politikave shantazhuese të qeveritarëve shovenistë të Beogradit dhe qeveritarëve të korruptuar të Prishtinës”, thuhet në reagimin e Vetëvendsojes.
“I ftojmë qytetarët që të ruajnë qetësinë dhe të presin për të kuptuar se ç´po ndodh, pasi që përcjellja e transmetimeve të drejtpërdrejta nëpër medie shpesh nuk lë hapësirën dhe kohën e duhur për reflektim. Imazhi që përcillet, i pa analizuar, jo rrallë është vetëm paketim i proceseve dhe skenarëve që mbeten të pashpjeguara për publikun e gjerë. A ka qenë serioz vendimi politik dhe urdhri pas këtij aksioni policor, apo ka qenë mbulesë e pretekst për diçka tjetër, do të merret vesh saktë vetëm në ditët në vijim”, shprehet Vetëvendosje.
Sipas kësaj partie, aksioni i arrestimit të Marko Gjuriqit është zhvilluar pa probleme, dhe kjo tregon se aksione të tilla ka patur mundësi të bëheshin edhe më përpara.
“Fakti se aksione të tilla nuk ka patur më përpara, por vetëm tani, pas darkës që hëngrën bashkë Thaçi me Vuçiqin në datën 23 mars, tregon se ky aksion ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e ‘Zajednicës’ e ndoshta edhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë ai në prill të këtij viti”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes. “Serbia në veri nuk është e pranishme vetëm përmes Gjuriqit, por janë edhe strukturat paralele, të cilat nuk janë shuar e nuk janë ndalur kurrë. Ato vazhdojnë të terrorizojnë banorët e të gjitha etnive, dhe vazhdojnë ta pengojnë shtrirjen e sundimit të ligjit të Republikës së Kosovës në atë pjesë. Regjimi në Kosovë vazhdon ta tolerojë veprimtarinë ilegale të strukturave paralele, edhe pse sot ndërmori një aksion spektakolar për arrestimin e Gjuriqit, duke u kujdesur të marrë me vete edhe kamerat e televizioneve e duke e nxjerrë Gjuriqin si trofe lufte në trotuarët e Prishtinës”.
Vetëvendosje e përgëzon profesionalizmin e policisë së Kosovës, dhe shpreson që ky aksion të mos jetë pa një politikë strategjike shtetërore.
“Sepse aksionet pa strategji prodhojnë spektakël të rrezikshëm njëditor, siç ndodhi më 25 korrik 2011, kur Thaçi urdhëroi forcat speciale të shkonin në veri, dhe kjo më pas solli përkeqësim të gjendjes atje. Shtetësia e Kosovës nuk dëshmohet përmes spektaklit policor në koordinim me darkat e Thaçit dhe Vuçiqit, por përmes vazhdueshmërisë së punës së përditshme të institucioneve në të gjithë territorin e Kosovës. Një qeveri që nuk arrin të kontrollojë përditë territorin e saj, dhe që toleron e flirton me strukturat kriminale në përditësi, nuk e lan dot fytyrën e saj me aksione spektakolare njëditore”, thuhet në reagimin e VV-së.
“‘Zajednica’, apo çdo projekt për ndarjen e bosnjëzimin e Kosovës, mbeten projekte të papranueshme dhe të rrezikshme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ata që dëshirojnë të ndërtojnë pretekste për projekte të tilla, në fund i shkaktojnë humbje të vazhdueshme popullit të vet”.
“Tensionimi i situatës në veri, mund të jetë hyrje në kompromise të reja me Serbinë”
Të drejtë dhe të ligjshëm e ka quajtur arrestimin e Gjuriqit, kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati.
“Porosi e qartë për Serbinë se institucionet e Kosovës janë institucione të një shteti të pavarur, dhe se ato duhet të respektohen. Por politikisht, çfarëdo tensionimi i situatës në veri, mund të jetë hyrje në kompromise të reja me Serbinë”, ka thënë Murati.
“Këto kompromise mund të na fusin në ciklin e vazhdueshëm të dobësimit të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Është koha e fundit, të marrim iniciativën edhe në bisedimet me Serbinë, të ndërrojmë logjikën e këtyre bisedimeve dhe të vendosim reciprocitetin si bazë të zgjidhjeve të problemeve me Serbinë”, ka shtuar më tej ai.
Hoxhaj: Gjuriq dhe Serbia provokuan rëndë Kosovën
19:36 - Hyrja në Kosovë, në mënyrë ilegale e zyrtarit të qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, është tërësisht e papranueshme, në kundërshtim me ligjin dhe marrëveshjen e Brukselit, dhe njëherazi një provokim i rëndë ndaj Kosovës.
Kështu ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, derisa ka shtuar se zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë se Kosova është shtet i pavarur dhe se mund të hyjnë në Kosovë vetëm me lejen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“E përgëzoj Policinë për profesionalizmin e treguar dhe i ftoj qytetarët e Kosovës ta ruajnë qetësinë dhe të përmbahen nga çfarëdo provokimi”, ka thënë Hoxhaj.
Veseli: Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie
19:23 - Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit, shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë.
“Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt”, ka thënë Veseli.
“Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare. Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi”, ka thënë më tej ai.
Thaçi për Gjuriqin: Policia ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për qetësi, derisa ka thënë se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.
“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe ligjit në Kosovë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe tani është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ky rast nuk duhet të cenojë komunikimin që është vënë në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogun në mes dy vendeve dhe përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Thaçi.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës arrestimin e zyrtarëve serbë nëse futen në Kosovë pa lejen e institucioneve të vendit. Pacolli ka thënë se ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandër Vulin, nuk ka arsye të vijë në Kosovë dhe të nxisë urrejtje. Këto komente Pacolli i ka bërë në konferencën për media me ministren e Punëve të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl.
Pacolli: Gjuriqit i është tërhequr disa herë vërejtja që të respektojë ligjet e Kosovës
Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, ka thënë se sot Policia e Kosovës ka vepruar sipas ligjit të vendit tonë.
“Në Veri të Mitrovicës ka arrestuar Z. Gjuriq. Tani mbas kalimit të të gjitha procedurave, është duke u bërë e mundur deportimi i tij jashtë Republikës së Kosovës”, ka thënë Pacolli.
“Atij u është tërhequr vërejtja disa herë që t’i respektojë ligjet e Kosovës, siç duhet respektuar ligjet e nikoqirit, çdo qytetar, kudo që shkon”, ka thënë më tej ai.
Sefaj thotë se Policia e ka përmbyllur me sukses planin për Gjuriqin
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Flamur Sefaj, ka thënë se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës e kanë përmbyllur në mënyrë profesionale planin operacional për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë në Republikën e Kosovës, të cilëve nga Prishtina zyrtare nuk iu është dhënë leja për të hyrë në Kosovë.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar për t'i kryer me përgjegjësi obligimet ligjore të saj dhe për të krijuar një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sefaj.