Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi: Rrëmbimi i policëve, shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga Qeveria që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer brenda territorit të Kosovës.

Krasniqi ka thënë se ajo që ka ndodhur të mërkurën është shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Aksioni i forcave serbe tregon qartë qëllimin e Serbisë për të shkaktuar tensione dhe për të kërcënuar paqen dhe sigurinë në rajon. Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për lirimin e menjëhershëm të policëve të rrëmbyer dhe për të garantuar integritetin territorial të Kosovës dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, Qeveria duhet që të angazhohet urgjentisht dhe me seriozitet për riparimin e raporteve me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që sjellë normalitet në pjesën veriore të Kosovës.