Arbëri

Lansohet “Pilotimi i Projektit për Reformën e Asistencës Sociale”, Kurti thotë se heq diskriminimin

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, të shtunën morën pjesë në lansimin e “Pilotimit të Projektit për Reformën e Asistencës Sociale” në Kosovë, nga ku shefi i Qeverisë u shpreh se me këtë projekt nuk do të ketë më diskriminime.

Kurti gjatë prezantimit ka përmendur “punët e mira” të Qeverisë për t’i ndihmuar kategoritë e caktuara.

“Qysh në shtator të vitit 2021 ndihmuam me shtesat për lehona e fëmijë. Deri më tani kemi mbi 400 mijë fëmijë që përfitojnë nga këto skema. Ndamë mbi 100 milionë euro për të mbështetur pensionistët dhe për skemat tjera sociale. Si Qeveri nuk u ndalëm por vazhduam me ndihma në disa sektorë. Fokusi ynë ishte reformimi rrënjësor i sistemeve e politikave që ishin keq të dizajnuara. Dizajni i skemës aktuale sociale është diskriminues sepse në momentin që fëmija në një familje mbush moshën 5-vjeçare ddhe atij i është ndërprerë ndihma”, ka thënë Kurti, transmeton Ekonomia Online.

Ministri Murati ka bërë të ditur se ky pilotim është i qasshëm edhe në “E-Kosova”.

“Personat të cilët mund të jenë prind të vetëm dhe kanë fëmijë nën 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara, ata që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara, do të trajtohen si persona që janë në kërkim për një vend pune. Ky pilotim është i hapur dhe është në “E-Kosova” dhe nëpër qendrat e plotësimit dhe familjarët duhet të plotësojnë aplikimin”, ka thënë ai.