Arbëri

Lajçak: Duam më shumë përparim në zbatimin e marrëveshjeve

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se duan më shumë përparim në zbatimin e Marrëveshjes bazë, e cila tashmë ka bërë 1 vit që nga nënshkrimi. Ai ka thënë se në takimin me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi kanë biseduar ndër të tjera edhe për rregulloren e BQK-së, e cila e bën euron valutë të vetme zyrtare në Kosovë.

“Dokumenti që është ligjërisht i obligueshëm në tërësinë e tij, por është bërë një vit prej kur e kemi arritur këtë dokument dhe do të donim të shihnim zbatim më të mirë të tij dhe kjo ishte një nga çështjet që diskutuam: si të fillojmë me zbatim të shpejtë të kësaj marrëveshjeje dhe e dyta çështje që e kemi diskutuar e që është po ashtu e rëndësishme është rregullorja e fundit e BQK-së për pagesa në cash dhe arsyeja pse po e diskutojmë atë janë disa dispozita të caktuara në këtë diskutim që janë relevante për dialogun dhe është shumë e rëndësishme që e kemi diskutuar”, ka thënë ai.

Në një konferencë për media, Lajçaku ka deklaruar se është duke planifikuar që në ditët në vijim të mbajë takim mes kryenegociatorëve të dialogut.

“Kemi diskutuar një listë të gjatë të çështjeve. Dhe më e rëndësishmja është zbatimi i Marrëveshjes bazike të arritur dhe kjo është në interes të të gjithëve që të kemi progres në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim bërë prandaj është në interes të secilit që të zbatohet. Sepse në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme është se kur do të ndodhë zbatimi i këtyre pikave. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër. Por besoj se këto çështje munden shumë thjesht të zgjidhen”, ka deklaruar ai, teksa ka treguar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është diskutuar edhe në takimin me Bislimin.

Lajçaku po ashtu ka thënë se në takimin e fundit në Bruksel, u ishte lënë palëve të vendosin vetë kë duan ta dërgojnë në takim.

“Siç e dini kam mbajtur një takim në nivel të ekspertëve javën e kaluar në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe ne kemi arritur që të gjejmë përgjigje për disa çështje, por ka po ashtu pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe ne kemi diskutuar me z. Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe jam duke planifikuar që të mbaj një takim tjetër në nivel të kryenegociatorëve në ditët në vijim kështu që kjo ishte arsyeja kryesore e vizitës time”, ka deklaruar më tej Lajçaku.

Ai ka shtuar se ka marrë përgjigje në shumë pyetje, ndërsa ka deklaruar se do t’i duhet t’i analizojë përgjigjet. “Ky është proces. Ne duhet që të sigurohemi që në fund nuk do të ketë njerëz, qytetarë, individë të cilët do të ndikohen negativisht në ndonjë mënyrë. Kjo është sigurisht brenga jonë”.


09:59 - Nis takimi mes Bislimit dhe Lajçakut

Ka nisur takimi i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Takimi po mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Siç ka bërë të ditur zyra e kryeministrit në një njoftim për media të hënën, Bislimi e Lajçaku do të diskutojnë “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”.

Image

Lajçaku sot në Kosovë, takon Bislimin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot (e martë) do të takohet në Prishtinë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Siç ka bërë të ditur zyra e kryeministrit në një njoftim për media të hënën, Bislimi e Lajçaku do të diskutojnë “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”.

Takimi pritet të nisë në orën 9:30.

Në fund të shkurtit, në Bruksel u zhvilluan takime, të cilat Bashkimi Evropian i ka konsideruar të jenë në kuadër të dialogut, për të gjetur një zgjidhje mbi përdorimin e valutës në Kosovë, që nuk do të kishte pasoja për popullatën serbe, pas miratimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës që e mban euron "si të vetmen valutë". Kosova u përfaqësua nga nga guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Ndërkaq Serbia në takim u përfaqësua nga delegacioni i udhëhequr nga Petar Petkoviqi.

Pas takimeve, Lajçaku pati thënë se takimi ishte i nivelit të duhur në kuadër të dialogut, por shtoi se ka nevojë për takime të tjera.