Një takim në nivel të kryenegociatorëve do të mbahet së shpejti në Bruksel, ka paralajmëruar të martën emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës në Prishtinë. Ai ka takuar zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, prej të cilit e ka kërkuar zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes bazë, të dakorduar një vit më parë. E Bislimi ka kërkuar që dokumenti të nënshkruhet, si garanci për zbatimin dhe sekuencim e barabartë të tij midis palëve
Emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar të martën, gjatë vizitës së tij në Kosovë, zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes bazë, e cila është arritur një vit më parë në Bruksel.
Në kuadër të qëndrimit në Prishtinë, Lajçak, ka takuar zëvendëskryeministrin e parë dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog, Besnik Bislimi. Pas takimit, Lajçaku e ka kualifikuar marrëveshjen e Brukselit si më të mirën që do të mund të arrihej mes dy palëve teksa ka shtuar se progresi më i shpejtë në funksion të zbatimit të saj është në interesin e të gjithëve.
“Kjo marrëveshje është më e mira që Kosova dhe Serbia mund të arrinin. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim propozuar deri më tani. Prandaj, është në interes të secilit që të vazhdohet me zbatimin, sepse në këtë marrëveshje i kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme së cilës nuk i është dhënë përgjigje tani është se kur. Pyetja ime është se pse të presim. Kjo marrëveshje është e mirë dhe ne duhet të fillojmë me implementimin”, ka thënë Lajçak.
Ai ka shtuar se është shpenzuar shumë kohë në sekuencimin e hapave të zbatimit të marrëveshjes, derisa ka përmendur shqetësimin që palët kanë në këtë drejtim.
“Ka frikë në të dyja palët se nëse bëj çfarë më kërkohet a do të marrim atë që është premtuar dhe kjo është ajo që kemi diskutuar, por këto çështje munden thjeshtë të zgjidhen”, ka thënë ai.
Lajçaku e ka realizuar vizitën në Kosovë, pas takimit midis delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë më 27 shkurt në Bruksel lidhur me çështjen e dinarit. Përkitazi me rregulloren e Bankës Qendrore (BQK), që e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë, Lajçaku ka bërë të ditur se në takimin e së martës me Bislimin ka marrë përgjigje në pyetjet për të cilat guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, si udhëheqës i delegacionit të Kosovës në takimin e Brukselit, nuk ka pasur mandat që të flasë.
Lajçaku ka paralajmëruar se së shpejti do të zhvillohet edhe një tjetër takim i nivelit të kryenegociatorëve në kuadër të dialogut të Brukselit.
“Kam marrë përgjigje në shumë pyetje që kam bërë. Duhet të analizojmë këtë tani që të shohim nëse i kemi të gjitha përgjigjet apo kemi ende pyetje që duhet marrin përgjigje. Ky është proces, ne duhet të sigurohemi që në fund nuk do të ketë njerëz, qytetarë e individë të cilët do të ndikohen negativisht në ndonjë mënyrë. Kjo është sigurisht brenga jonë”, ka thënë ai.
Me Bislimin, krahas Rregullores së BQK-së dhe Marrëveshjes bazë, Lajçaku ka thënë se ka diskutuar edhe për draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, porse nuk ka shpalosur më shumë hollësi rreth përmbajtjes së bisedës.
Por zyra e zëvendëskryeministrit Bislimi ka njoftuar se Asociacioni nuk është përmendur si një nga çështjet e diskutuara.
“Në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garanci edhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribuojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Bislimit.
Në këtë njoftim është përsëritur qëndrimi i mëhershëm i Bislimit se çështja e Rregullore së BQK-së që e ndalon dinarin si valutë për pagesa në Kosovë nuk është subjekt i dialogut midis palëve.
“E siguroi z. Lajçak që Qeveria është e interesuar të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes financiare të Serbisë për serbët e Kosovës në fushën e edukimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale”, është thënë në njoftim.
Krahas kësaj, në takim me Lajçakun, sipas zyrës së Bislimit, është diskutuar edhe për mosbashkëpunimin e Serbisë në funksion të mirëmbajtjes së linjave të interkoneksionit, të targave dhe për ndërhyrjet e Serbisë në frekuencat brenda territorit të Kosovës.
“Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut. Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”, thuhet në njoftim.