Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë thirrje që partitë në Kosovë të tejkalojë dallimet partiake kur bëhet fjalë për dialogun me Serbinë.
Pas takimeve me krerët e partive opozitare në vend, dy nga të cilat kanë dalë kundër propozimit evropian, Lajçaku ka thënë se duhet tejkaluar ndasitë tjera, sidomos në “këtë moment kritik”.
“Në ditën e dytë në Kosovë, jam takuar me liderë të partive kryesore opozitare për të shpjeguar marrëveshjen, dhe hapat e ardhshëm. Po ashtu kam shprehur pritshmëritë e qarta të komunitetit ndërkombëtar për ta vënë dialogun mbi politikën e përditshme partiake, veçanërisht në këtë moment kritik”, ka shkruar Lajçaku të premten në mbrëmje në Twitter.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar Qeverinë për pranimin e përmbajtjes së Planit evropian. Krerët e dy partive, Lajçaku i ka takuar të premten. Po ashtu, ai ka takuar edhe përfaqësuesit e AAK-së.
Gjatë ditës, Lajçaku ka takuar edhe përfaqësues të Listës Serbe, të cilët ka thënë se i ka informuar për dialogun dhe ua ka dëgjuar “pikëpamjet dhe vlerësimet për zhvillimet në veri të Kosovës”.
Në fund, ai ka takuar edhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla. “Puna jonë është e mbivendosur në shumë fusha. Kjo është arsyeja pse nënvizova rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të ngushtë”, ka shkruar Lajçaku për takimin me Sveçlën.
Lajçak ka nisur vizitën në Kosovë të enjten, kur është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti. Ai synon të sigurojë përafrimin e qëndrimit të palëve mbi udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian për dialogun, e për të cilin synohet të arrihet marrëveshja mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në një takim që është planifikuar të realizohet më 18 mars në Ohër.