Arbëri

Laboratori gjerman konfirmon se azbesti i shkatërruar nga NPB-ja është kancerogjen

Asbesti i shkatërruar në lagjen “Lakërishte” nga Ndërmarrja Publike Banesore ka përmbajtje të mbetjeve kancerogjene, e që konsiderohet si rrezikshmëri e lartë kontaminimi.

Ky është rezultati i analizave të dala nga një laborator i Gjermanisë, ku Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor-MMPHI ka dërguar materialin e asbestit të shkatërruar nga lagjen “Lakërishte” nga NPB-ja, pas alarmimit se demolomi i objektit të vjetër të ndërmarrjes komunale po i rrezikon banorët.

Sipas kësaj ministrie, azbesti i materialit të shkatërruar i përket shkallës së tretë të rrezikshmërisë.

“Me qëllim të shqyrtimit të rezultatit të analizave për azbestin e shkatërruar në Lakërishtë nga Ndërmarrja Publike Banesore, me datë 15.10.2021, kemi dërguar materialin e asbestit në laboratorin e Gjermanisë, me ç’rast është bërë ekzaminimi mikroskopik i skanimit të mostrës së azbestit. Sipas përmbajtjes, e cila ndahet në 5 kategori të zbulimit të gjurmëve (mbetjeve) kancerogjene të azbestit nga kategoria 1 (2%) deri te kategoria 5 (50%), del se materiali i azbestit i përket shkallës së 3-të (20%), të mbetjeve kancerogjene me rrezikshmëri shumë të lartë kontaminimi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përkundër kërkesës së KOHËS, MMPHI-j nuk ka dhënë detaje se cilët do jenë hapat e mëtutjeshëm për këtë çështje.

Krahas këtyre, po vazhdon edhe hetimi i Policisë së Kosovës mbi dyshimet për manipulim me projektin milionësh që është paraparë të ndërtohet në vend të objektit që po rrënohet.

Këtë gjë e ka konfirmuar Zyra për Media e Policisë, të cilët javë më parë kanë filluar edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në lidhje me këtë proces.

“Referuar kërkesës suaj, që ka të bëjë me Projektin Afaristo-banesor të Ndërmarrjes Publike Banesore në Lakërishtë, ju informojmë se Policia e Kosovës, përmes drejtorisë kompetente ka ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me rastin në fjalë. Policia e Kosovës në të gjitha rastet veprimet e saja i ndërmerr komfor autorizimeve ligjore në konsultim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Ish-asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, i cili ka ngritur gjatë gjithë kohës akuza për proces jo të rregullt të tenderit, është njëri nga zyrtarët që është marrë në pyetje.

“Kam dhënë deklaratë në polici, të gjitha ato të cilat i kemi thënë edhe në konferencë, i kemi thënë edhe para organeve të rendit dhe kemi kërkuar që të hetohet, sepse ka shumë çka të hetohet aty, sepse është një projekt nga i cili po humb Komuna e Prishtinës dhe është projekt nga i cili po përfitojnë një grup klientel i ngushtë me Partinë Socialdemokrate. Janë emëruar anëtarë të Bordit dhe kanë sjellë anëtarë të tjerë dhe kanë emëruar edhe anëtarë që janë të afërt me kandidatin e LDK-së në Prishtinë”, ka deklaruar Egzon Azemi, ish-asamblist i Vetëvendosjes.

Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në mandatin e kryetarit në largim, Shpend Ahmetit, Azemi kërkoi të hidhej si pikë e rendit të ditës diskutimin mbi NPB-në, mirëpo ajo nuk u aprovua nga asamblistët e pranishëm.

Pas disa muajsh distancim nga përgjegjësia që ka mbi NPB-në, Ahmeti theu heshtjen në fund të mandatit duke folur për akuzat që po rëndojnë mbi të.

“Nuk është diskutimi a duhet të ndërtohet, sepse prej një prone të pavlefshme, pra ku ka pasë baraka me u ndërtua ka përfitim. Procedurën që e ka përdorur NPB, përgjegjësi ligjore ka bordi, ajo është nën hetime, organet e rendit kanë me vendos a ka pasë shkelje a jo. Sa i përket asbestit, leja e rrënimit është pezulluar sipas kërkesës së drejtorisë së inspeksionit. Se a është rrënuar me asbest, jau kujtoj rastin e fundit, kur është rrënuar spitali i Covidit ka qenë i njëjti rast. Pra, kemi edhe 6-7 raste tjera që sivjet ka ndodhur, nëse kanë qenë kancerogjene kanë qenë për krejt. Megjithatë ka udhëzimi administrativ që kërkon që ministria me jep pëlqimin, pala është dashtë me kërku prej neve me ndalu se ka asbest, na është dashtë me kërkuar prej ministrisë dhe këtë nuk e kemi kërkuar, dhe atë procedurë e kemi kthyer prapa deri sa të merret leja”, ka thënë Ahmeti.

Vetëvendosje që nga fillimi ka ngritur akuza se kompania fituese e projektit të NPB-së është krijuar vetëm një ditë para hapjes së tenderit.