Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi pati në dispozicion dokumentacionin e ekspozitës për masakrat para se ta financonte atë

Ekspozita masakrat

Foto: Driton Paçarada

Para se Kuvendi i Kosovës ta financonte ekspozitën për “Masakrat në Kosovë”, pati qasje në dokumentacionin për këtë aktivitet. Në memorandumin që Kuvendi lidhi me organizatën “Integra” u pajtuan që mjetet të ndaheshin tek pasi Kuvendi t’i pranonte këto informacione. “Integra” ia kërkoi Kuvendit 12.800 euro vetëm për printime, e Kuvendi ia dha 5 mijë

Kuvendi i Kosovës e pati në dispozicion dokumentacionin për ekspozitën me të dhëna të pasakta  për “Masakrat në Kosovë”, para se ta financonte atë me 5 mijë euro.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KOHA ka marrë nga Kuvendi dokumentacionin me të cilin palët ishin pajtuar për shfaqjen e asaj ekspozite, që deformoi historinë e luftës në Kosovë duke i kthyer civilët e vrarë në persona të armatosur.

Në memorandumin e mirëkuptimit, Kuvendi dhe organizata joqeveritare “Integra” ishin pajtuar me nenin tre, me të cilin kjo organizatë obligohej t’ia paraqiste Kuvendit dokumentacionin për aktivitetin e kërkuar.

“Kuvendi, pas pranimit të dokumentacionit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, do t’i bartë mjetet buxhetore në xhirollogarinë e përfituesit”, thuhet në memorandum.

Në kërkesën që kjo organizatë ia kishte bërë Kuvendit, gjegjësisht kryetares Albulena Haxhiu, më 24 shkurt i kishte kërkuar 12.800 euro vetëm për mbulimin e kostos së shtypit të paneleve të ekspozitës, e cila në këtë kërkesë ishte thënë se do t’i ketë të ekspozuara 103 masakra e i pati vetëm 49.

Edhe Kryekuvendarja kërkon falje në emër të Kryesisë për mbështetje të ekspozitës LAJMET E MBRËMJES Kryekuvendarja kërkon falje në emër të Kryesisë për mbështetje të ekspozitës

Në këtë kërkesë “Integra” kishte thënë se kjo ekspozitë është projekt me rëndësi të veçantë për kujtesën kolektive dhe se do ta vlerësonin thellësisht realizimin e saj me mbështetjen e Kuvendit.

Në fund “Integra” kishte theksuar që është në dispozicion t’i ofrojë Kuvendit më shumë informacione, materiale plotësuese apo sqarime shtesë, nëse ka nevojë.

Kërkesa e saj u fut në rend dite të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit më 2 mars, e cila u aprovua me shumicë votash.

Po të njëjtën ditë, Haxhiu nënshkroi vendimin me të cilin kësaj organizate ia ndau 5 mijë euro.

Kur ekspozita u lansua në publik, meritat për të i morën organizata “Integra” me drejtues Kushtrim Koliqin dhe organizata “Admovere”, drejtuesi i së cilës është Shkëlzen Gashi, autori i librit “Masakrat në Kosovë”, mbi të cilin u bazua ekspozita.

Edhe Përplasen deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës për ekspozitën me pasaktësi për masakrat LAJMET E MBRËMJES Përplasen deputetët e pushtetit dhe ata të opozitës për ekspozitën me pasaktësi për masakrat

Por kërkesën për Kuvendin e bëri vetëm organizata “Integra”.

E, pesë ditë pas skandalit që kjo ekspozitë prodhoi, Kuvendi iu drejtua “Integrës” me një kërkesë.

Më 1 prill, ushtruesi i detyrës së sekretarit të Kuvendit, Xheladin Hoxha, në emër të Kryesisë, kërkoi sqarime se pse kërkesa për mjetet u bë vetëm nga “Integra” dhe jo edhe nga “Admovere” e Shkëlzen Gashit.

“Në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pranuar vetëm kërkesa e paraqitur nga organizata juaj. Për nevojat e Kryesisë së Kuvendit, ju lutem na informoni se: Cila organizatë është organizatore e ekspozitës?”, thuhet në kërkesën për sqarim.

Në përgjigje, “Integra” ka shkruar se nuk ka pasur motive të fshehta, porse i kanë ndarë punët me “Admovere”.

Edhe Veteranët paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse s’ka reflektim institucional LAJMET E MBRËMJES Veteranët paralajmërojnë vazhdimin e protestave nëse s’ka reflektim institucional

“Ekspozita ‘Masakrat në Kosovë 1998-1999’ është realizuar në partneritet mes ‘Integra’ dhe ‘Admovere’, si pjesë e një përcaktimi që zakonisht bëhet në projektet që realizohen nga më shumë se një organizatë. Sa i përket faktit që kjo kërkesë për mbështetje është dërguar nga ‘Integra’, dëshirojmë të theksojmë sinqerisht se kjo nuk ka ndodhur si rezultat i ndonjë qëllimi përjashtues apo motivi të fshehtë, por si pasojë e ndarjes së përgjegjësive ndërmjet partnerëve në kuadër të realizimit të kësaj ekspozite”, thuhet në përgjigjen e “Integrës”.

Pas debatit që kjo ekspozitë ka ngjallur, Kuvendi nuk ka marrë përgjegjësi për përmbajtjen, por ka thënë se për të ardhmen do të ndërmerren hapa konkretë për të forcuar mekanizmat e vlerësimit para se të ndahen fondet publike.