Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kryekuvendarja kërkon falje në emër të Kryesisë për mbështetje të ekspozitës

kryesia e kuvendit

Foto: Driton Paçarada

Kryesia e Kuvendit ka shprehur keqardhje për mbështetjen e ekspozitës për masakrat në Kosovë, e ku u shfaqën të dhëna të pasakta. PDK-ja ka kërkuar hetim për manipulim, e LVV-ja e ka fajësuar opozitën se po e vë theksin tek ekspozita për të fituar poenë politikë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në emër të Kryesisë së këtij institucioni u ka kërkuar falje familjarëve të viktimave të luftës së fundit dhe publikut për mbështetjen financiare të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, në të cilën janë shfaqur gabime në numrin e viktimave si dhe në statusin e tyre në momentin që janë vrarë nga forcat serbe.

Haxhiu ka shprehur keqardhje, megjithëse ka thënë se Kuvendi nuk i ka kapacitetet për t’i verifikuar numrat që do të paraqiteshin në ekspozitën e shfaqur në sheshet e Prishtinës gjatë javës së shkuar.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Shpreh keqardhjen për atë që ka ndodhur, na vjen keq për të gjitha familjet, palët që janë prekur më së shumti për qytetarët e Kosovës. Pas këtij rasti do të ndërmarrim hapa për ndryshimin e rregullores ekzistuese me qëllim që të formojmë komisione profesionale që vlerësojnë kërkesa të tilla sepse rregullorja aktuale për subvencionim nuk parasheh një gjë të tillë. Apo në anën tjetër siç bëjnë ekzekutivi, ku bëhen thirrje publike paraprakisht e më pas mbështeten projekte të tilla...Verifikimi i të dhënave nuk bie mbi përgjegjësinë e Kuvendit e as Kryesisë së Kuvendit. Sado që është provuar të hidhet faji te Kuvendi, aktualisht Kuvendi nuk ka mekanizma që verifikojnë projektet që propozohen nga organizatat”, ka thënë Haxhiu.

Sekretarja e PDK-së dhe deputetja, Vlora Çitaku, ka thënë se ky është skandal për të cilin duhet hetim.

Ajo të hënën e ka shfaqur letrën që OJQ Integra ia ka dërguar kryetares së Kuvendit, në bazë të së cilës nuk përmendej askund libri “Masakrat në Kosovë” i autorit Shkëlzen Gashi.

“Përtej pasaktësive këtu ka një manipulim të qëllimshëm dhe këtu duhet të ketë një hetim të veçantë, si ka ardhur kjo kërkesë, pse është mashtruar kryesia e Kuvendit. Këtu nuk ka asnjë emër të ndonjë organizate tjetër. Shoqata e Shkëlzen Gashit nuk është këtu, unë kurrë me dorën time nuk do të kisha nënshkruar atë që ka emrin e Shkëlzen Gashit, ai është një kontrovers. Kjo është një njollë që do të mbetet. Kam kërkuar rikthimin e mjeteve”, ka thënë ajo.

Ngjashëm janë shprehur edhe në AAK.

“E konsideroj si dështim të shtetit, një gabim i trajtimit të një pike dhe ekspozite me përmbajtje aq të dëmshme që krijoi dhimbje pa kurrfarë përgjegjësie. Janë marrë disa qëndrime, mirëpo ajo që e them me përgjegjësi të plotë, ky ka qenë një dështim shumë serioz dhe një lëshim shumë serioz për të cilin duhet të ketë hetim e trajtim institucional”, ka thënë deputeti Besnik Tahiri.

E shefja e GP të LVV, Arbërie Nagavci, ka insistuar se se opozita mbi të gjitha po synon poenë politikë.

“Në këtë pikë, përtej debatit politik që po bëhet dhe përtej asaj që ndoshta për të goditur politikisht parti të caktuara në këtë rast LVV-ja është për të goditur edhe qeverinë  është një e vërtetë e pamohueshme që fatmirësisht tashmë ne e kemi Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës së fundit, i cili u miratua, u funksionalizua gjatë qeverisë Kurti”, ka thënë ndër të tjera Nagavci.

Për këtë çështje, të hënën ka folur edhe kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media. Ai ka thënë se ka shumë masakra që nuk janë përfshirë, e kishte të tilla që kanë pasur gabime në tekst që duhet të përmirësohen.

Sipas Kurtit, ekspozita është e rëndësishme jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen e vendit, pasi një pjesë e konsiderueshme e popullsisë në Kosovë, ose kanë qenë fëmijë dhe nuk e mbajnë mend se çka ka ndodhur ose kanë lindur pas luftës.

“Një ekspozitë e saktë, e drejtë dhe e plotë, mbi të gjitha natyrisht e vërtetë për krimet e Serbisë në Kosovës, unë besoj që duhet të rikthehet sa më parë, madje një datë optimale do të mund të ishte qershori, përkatësisht koha kur shënojmë përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës. Dhe është me rëndësi që ajo të mos jetë vetëm në Prishtinë, ta kemi një ekspozitë që është nëpër të gjitha komunat e Kosovës, sepse është vështirë të gjendet ndonjë komunë, ku s’ka pasur vrasje mizore e masakra”, ka thënë Kurti.

Autorët e ekspozitës e hodhën përgjegjësinë tek të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare, por nga kjo organizatë reaguan menjëherë duke thënë se të dhënat e saj u keqlexuan.

Për librin “Masakrat në Kosovë”, i shkruar nga autori i ekspozitës, Shkëlzen Gashi, FDH-ja në reagimin e saj ka thënë se ka shumë pasaktësi dhe në shumë raste nuk është në përputhje me faktet e vërtetuara gjyqësore.

Ekspozita është larguar nga sheshet e Prishtinës me vendim të Komunës, pasi shumë qytetarë shprehën pakënaqësi me të.

Organizatat autore të ekspozitës kërkuan falje e Prokuroria Speciale ka njoftuar se është duke mbledhur informata nëse ka elemente të veprës penale që lidhet me ekspozitën.