Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kuvendi Komunal i Pejës me Rezolutë për ruajtjen e rrjedhës natyrore të Lumbardhit

Kuvendi Komunal i Pejës, të mërkurën, ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën anëtarët e Kuvendit në mënyrë unanime kanë votuar një Vendim - Rezolutë për ruajtjen e rrjedhës natyrore të Lumbardhit në Grykën e Rugovës.

Në pikën 1 të saj thuhet se “ndalohet çfarëdo ndërtimi ose shfrytëzimi i Lumbardhit ose ndërrimi i rrjedhës së tij përgjatë gjithë Grykës së Rugovës dhe territorit të Komunës së Pejës”.

Kurse në pikën 2 të kësaj rezolute, KK i Pejës ka kërkuar nga Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve që ta respektojnë pikën 1 të Rezolutës dhe që urgjentisht ta ndërprenë procedurën e iniciuar nga “Kelkos Energy- Peja Sh.P.K.”, për marrjen e statusit të investitorit strategjik dhe lidhjes së marrëveshjes për investime strategjike për prodhimin e energjisë në rrjedhën e Lumbardhit në Grykën e Rugovës”.

Një përpjekje e tillë është kundërshtuar dy ditë më parë edhe me një protestë të shoqërisë civile e qytetarëve, të cilët janë vënë kundër idesë së ndërhyrjes në rrjedhën e Lumbardhit nga cilido investitor, raporton Koha Ditore.

Me pankartat, në të cilat shkruante: ‘Lumbardhi krenari e Pejës’, ‘Politikën e japim, Lumbardhin s’e japim", ‘Mos ma prek Lumbardhin", "Jo diga, jo gypa, mbroje natyrën, mbroje turizmin" dhe ‘Jo edhe një lum i vdekur", protestuesit kanë nënshkruar edhe një peticion me anë të të cilit shprehin kundërshtimin për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve.

Edhe Mijëra qytetarë në Pejë kundër hidrocentralit në Lumbardh: S’prishet lumi me të cilin na njeh bota Video Mijëra qytetarë në Pejë kundër hidrocentralit në Lumbardh: S’prishet lumi me të cilin na njeh bota

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas protestës me një postim në profilin e tij në rrjetin social Facebook. Ai ka bërë të ditur se pas protestës së qytetarëve në Pejë dhe shqetësimeve legjitime të ngritura në takim nga përfaqësuesit e komunitetit rugovas rreth projektit të ndërtimit të hidrocentraleve në Lumbardh, nga Ministria e linjës ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të mëtejme deri në krijimin e një pasqyre të qartë dhe të gjithanshme për shkallën e impaktit të këtij projekti në mjedis.

“Projektet, të cilat bien ndesh me interesat e banorëve të zonës së Rugovës asnjëherë nuk do të kalojnë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.