Arbëri

Gjykata refuzon padinë e Komunës së Deçanit për “Kelkos Energy”, që ndërtoi hidrocentrale

Rrjedha në Lumbardh në Deçan, është ndërprerë dhe ka rënë dukshëm.

Këtë e ka konstatuar edhe drejtoria e Inspeksionit në këtë komunë, gjatë inspektimeve të rregullta, raporton KTV.

Sipas saj, rrjedha e Lumbardhit është ndërprerë dhe tërë uji i lumit është shfrytëzuar për prodhim të energjisë alternative.

Për këtë, kjo drejtori kishte paditur kompaninë “Kelkos Energy”, që ka ndërtuar hidrocentral, duke kërkuar që t’i ndërpritet asaj aktiviteti.

Por, Gjykata në Deçan ia ka refuzuar padinë Komunës, me arsyetimin se nuk është kompetente për inspektim dhe monitorim të hidrocentraleve, por kjo është vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit dhe vetëm ky institucion jep leje për operim.

Për shoqërinë civile, jo vetëm Komuna, por edhe personat individualisht, kanë të drejtë të ushtrojnë padi kur bëhet fjalë për degradim të mjedisit.

Vendimi i Gjykatës po shihet si politik.

Kohavisioni ka provuar të flasë edhe me zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor rreth këtyre ankesave të vazhdueshme të Komunës së Deçanit, por ata nuk janë përgjigjur.