Arbëri

Pas 3 vjetësh nga padia pritet të fillojë procesi gjyqësor për hidrocentralet në Deçan

Hidrocentrale

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën do të mbahet seanca e parë gjyqësore në rastin e padisë së ngritur ndaj kompanisë “Kelkos” me pretendimet për dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi i tri hidrocentraleve në Grykë të Deçanit. Nga shoqëria civile presin që procesi të zhvillohet pa ndërhyrje dhe presion, duke shpresuar në rehabilitimin e Lumbardhit

Pas gati tre vjetësh nga padia e ngritur ndaj kompanisë “Kelkos” për dëmet që janë shkaktuar nga ndërtimi i hidrocentraleve në Lumbardhin e Deçanit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën do të mbahet seanca e parë gjyqësore.

Tre qytetarët të Deçanit, Faton Selmanaj, Xhavit Kuçi dhe Muharrem Lulaj kanë ngritur padi ndaj kompanisë, duke kërkuar revokimin e licencave që institucionet kanë lëshuar për tri hidrocentralet e kësaj kompanie.

Padisë i janë bashkuar edhe organizatat e shoqërisë civile “Pishtarët” dhe “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”.

Shpresa Loshaj, drejtoreshë e organizatës “Pishtarët”, e ka cilësuar tejet të rëndësishëm këtë proces, duke thënë se pret që të mos ketë ndërhyrje dhe presion.

“Ky proces gjyqësor është tejet i rëndësishëm, jo vetëm të rehabilitohet Lumbardhi, por edhe t’u jepet fund pazareve të fshehta të Ministrisë së Mjedisit me kompaninë Kelkos dhe t’i kthehet e drejta popullit të Deçanit të marrë pjesë në vendimet që kanë të bëjnë me jetesën tonë, ashtu siç e parasheh edhe Kushtetuta”, ka thënë ajo. “Shpresoj që procesi gjyqësor të zhvillohet pa ndërhyrje dhe presion. Vendimi përfundimtar pritet të bëhet shembull dhe t’ua kthejë dinjitetin institucioneve publike”, shton Loshaj.

KOHA ka provuar që të marrë një përgjigje nga ana e kompanisë Kelkos, por ajo nuk është përgjigjur të martën. As paditësit nuk kanë dashur të flasin para seancës të së mërkurës.

E turbinat e tri hidrocentraleve në Grykën e Deçanit janë jashtë funksionit tash e disa vjet. Gjykatat e tri shkallëve patën miratuar masën e pezullimit të licencave të lëshuara nga institucionet për operimin e këtyre hidrocentraleve.

Pas vendimit të gjykatave, edhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka marrë vendim për pezullimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Belleja”, “Deçani” dhe “Lumbardhi 2”.

Në vendim thuhet se pezullimi do të zgjasë deri në nxjerrjen përfundimtare të vendimit për padinë e ngritur nga qytetarët e Deçanit.

Ministria më 2020 pati lëshuar leje mjedisore për dy hidrocentrale të “Kelkosit” - “Deçani” dhe “Belleja”. Por për këtë të fundit, banori Muharrem Lulaj pati shprehur habi se si ka ndodhur, pasi sipas tij, nga 2013-a i ka paditur kompaninë, Komunën e Deçanit dhe Agjencinë e Pyjeve për ndërtim në pronën e tij.

MMPHI-ja pati themeluar një grup punues për çështjen e licencimit të hidrocentraleve, por përkundër shkeljeve që janë evidentuar në një raport, kjo ministri nuk ka treguar se si do të veprohet.

Në raport janë shqyrtuar të gjitha procedurat administrative të zbatuara për hidrocentrale, si dhe ndikimi i tyre në ujëra dhe mjedis. Ai rekomandon që të ndërpritet operimi i të gjitha hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore, si dhe të hetohen të gjithë zyrtarët për shkeljet ligjore, që kanë karakterizuar ndërtimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Grupi punues po ashtu kërkon që të shfuqizohen të gjitha aktet e lëshuara në kundërshtim me ligjin, si dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërtimin e hidrocentraleve të reja, deri në miratimin e planeve për menaxhimin e pellgjeve lumore.

Sa u përket HC-ve në Grykën e Deçanit, në raport thuhet se përveçqë është dëmtuar rrjedha e lumit dhe nuk është respektuar minimumi ekologjik, po ashtu janë evidentuar shkelje ligjore në ndërtimin e objekteve të hidrocentraleve.

“Ndërtesat e dy HC (Lumëbardhi II dhe Belaja) janë ndërtuar në pronë ujore në afërsi të drejtpërdrejtë të lumit, në kundërshtim me Ligjin për ujërat (neni 48) 12, që përcakton distancën prej minimumi 30 metra për ndërtimin e objekteve nga vija e plotave (ujërat 100-vjeçare)”, thuhet në raport.

Kundërligjore te këto hidrocentrale ka rezultuar të jetë edhe një marrëveshje për shfrytëzim të tokës pyjore që kompania “Kelkos Energy” pati nënshkruar me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës.

Sipas raportit, shpeshherë gjatë ndërtimit të hidrocentraleve janë bërë ndërhyje në projekte pa pëlqimin e Ministrisë.

“Në HC ‘Lumëbardhi II’ janë bërë ndryshime në projekt pa pëlqimin e Ministrisë, siç kërkohet me vendim për leje ndërtimore”, thuhet në raport.

Pos sipas raportit, dy nga hidrocentralet e Deçanit, HC “Deçani” dhe HC “Belaja” janë ndërtuar brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Grupi punues i ka rekomanduar Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ta obligojë kompaninë “Kelkos Energy” që, mes të tjerash, të kushtëzohet me lëshimin e lejes mjedisore për ndërtimin e digës në liqenin e Zallit të Rupës, pasi kjo ishte edhe marrëveshje në mes të investitorit dhe Komunës së Deçanit.