Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kusari mohon favorizimin e komunave të udhëhequra nga LVV-ja

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka mohuar akuzat se Qeveria me ndarjen e buxhetit për vitin e ardhshëm i ka favorizuar komunat e udhëhequra nga kjo parti.

Kusari-Lila ka thënë se nga buxheti prej 3.3 miliardë euro, 21 milionë euro janë ndarë për investime kapitale. Sipas saj, nëse shikohet vlera e projekteve për kokë banori prin Prishtina, Gjakova e Ferizaj, komuna këto që nuk qeverisen nga VV-ja.

“Buxheti është 3.3 miliardë euro, ndërsa vlera e projekteve të reja 21 milionë, prej të cilave gjysma mendohet se është ndarë për katër komunat ose thuhet, të LVV-së që i bie diku 12-13 milionë euro. Gjithë ky argumentim nuk e ka peshën e njëjtë në raport me vlerën për të cilën po flasim. Ka shumë projekte të cilat janë në vazhdimësi dhe nëse shikohen vlera e projekteve për kokë banori me komunat, do të dalin komunat të cilat udhëhiqen nga partitë e tjera që sot janë në opozitë në nivelin qendror, të cilat për kokë banori kanë investime nga Qeveria, aty prin Prishtina, Gjakova, Ferizaj e kështu më radhë”.

Ajo shtoi se duhet të analizohet mirë se për çka kanë ngecur projektet nëpër komuna të caktuara. Kusari-Lila shprehet kategorike se ka pasur favorizime, por thotë se mund të ketë pasur komunikim më të afërt e bashkëpunim më të madh me kryetarët.

“Absolutisht nuk e them favorizim, e them ndoshta që ka pasur komunikim më të afërt ndoshta bashkëpunim më të lartë. Mos të harrojmë që jo rrallë komunat, apo partitë opozitare përmes kryetarëve të komunave bëjnë opozitën ndaj qeverisë dhe kjo është e dëmshme dhe gabim për arsye se sakrifikim interesin e qytetarëve. Për këtë çfarë po them është që duhet që të synojnë që në momentin kur merret detyra në ekzekutiv, qoftë në nivelin lokal apo në nivelin qendror të mbajnë komunikimin në nivelin institucional dhe jo të zhbëjnë atë ose ta kthejnë atë në luftën politike apo inatet politike të cilat pastaj përkthehen më se keqi për qytetarët apo përfituesit e atyre komunave”.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, vlerësohet që këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV), ku mbi gjysma e kësaj shume 13 milionë euro (59.5%) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). /EO