Aktivistja mjedisore nga organizata “Pishtarët”, Shpresa Loshaj, është paditur nga kompania Kelkos për shpifje, ka njoftuar vetë ajo sot, ndërsa i janë kërkuar 100 mijë euro për dëmtim imazhi.
Loshaj në Express Intervistë ka thënë se nuk e ka pritur një padi të tillë nga kompania, për siç thotë ajo, qëllimin për ta heshtur Deçanin.
“Nuk kemi pritë 100 mijë euro padi, ka qenë qysh më parë kjo padi por siç duket Kelkos ka qenë e irrituar shumë për faktin se në Deçan kanë filluar njerëzit t’i ekspozojnë krimet e tyre në Deçan dhe e kanë rritë edhe një zero duke mëndu që mund ta heshtin komunën e Deçanit”, tha ajo.
Juristja e medias, Flutura Kusari, thotë se padia e Kelkosit ndaj një aktivisteje tregon se kjo është bërë për të frikësuar ata dhe për t’i heshtur. Sipas saj, nuk ka asnjë mundësi që Kelkosi ta fitojë këtë rast në gjykatë.
“Kjo është padia e dytë që është dorëzuar në gjykatë kundër aktivistëve në Deçan. E kishim një padi 10 mijë euro nga Kelkosi. Shpresa kërkon llogari nga institucionet se si shfrytëzohen ujërat tanë dhe si shpërblim ka marrë këtë padi. Aktivistët janë individë dhe nuk përfaqësojnë grupe. Kemi një kompani që fiton jashtëzakonisht shumë në Kosovë dhe përmes padive po mundohen t’i frikësojnë aktivistët. Qëllimi i tyre nuk është me fitu rastin, Kelkosi e di që nuk ka shanca në gjykatë ta fitojë rastin. Qëllimi është që t’i frikësojnë që të mos bëjnë gjëra të tilla aktivistët që kur shohin se ambienti po degradohet të flasin”, tha ajo.
Edhe
Loshaj: “Kelkosi” s'i ka përmbushur detyrimet dhjetëra milionëshe ndaj Komunës së Deçanit
Kusari shton se Kelkosi “po do t’ia mshelë gojën aktivistëve”.
Këtë rast do ta fitojnë aktivistët, thotë Kusari, sepse ata kanë të gjitha dokumentet me foto dhe video të cilat i posedojnë.
“Argumenti kryesor që i mbron aktivistët është e vërteta që është se kanë dokumentuar të gjitha dyshimet që i kanë për moszbatimin e obligimeve ligjore nga ana e Kelkosit. Këto padi nuk munden me pasë sukses, sepse nuk është qëllimi me pasë sukses, por me frikësu. Shpresat i kemi tek gjykata në Deçan”, tha ajo.
Kusari thotë tutje se padia është joproporcionale për shkak të shumës së lartë që ka vënë kompania ndaj një aktivisteje.
“Rasti i Shpresës është keqpërdorim i legjislacionit për mbrojtje të reputacionit. Në rastin e tillë, nuk ka bazë padia dhe fakti që po kërkohet nga një aktiviste vullnetare 100 mijë euro, është joproporcionale dhe ka për qëllim me frikësu”, tha Kusari.
Edhe
Loshaj: Kelkosi i tërhoqi paditë por dëmet janë shkaktuar
Megjithatë, Loshaj shton se nuk i frikësohet kësaj kompanie, porse për Deçanin. Ajo thotë se frika e saj është se mund të ketë ndikuar tek banorët e Deçanit.
“Nuk jam frikësuar aspak, por jam frikësuar për Deçanin. Deçani ka qenë heshtje institucionale e popullore. Me këtë padi e kanë frikësuar shumë të tjerë, si banorët e Deçanit”, tha Loshaj.