Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Loshaj: “Kelkosi” s'i ka përmbushur detyrimet dhjetëra milionëshe ndaj Komunës së Deçanit

Kompania “Kelkos” ka detyrime ndaj komunës së Deçanit, të cilat nuk i ka plotësuar dhe të cilat duhet t’i plotësojë pasi kontrata mes tyre është valide ende, ka thënë Shpresa Loshaj, aktiviste mjedisore në organizatën “Pishtarët”.

Loshaj ka thënë në “Java Sonte me Rronin” në KTV se sipas kontratës, komuna e Deçanit i ka dhënë tokë “Kelkos-it” për t’i realizuar punimet e saj, derisa kjo kompani ka detyrime dhjetëra-miliona euro ndaj komunës të cilat nuk po i përmbush.

“Kemi të bëjmë me një kontratë të nënshkruar sot 10 vjet mes Komunës së Deçanit dhe kompanisë KELKOS. Përmes kësaj kontrate Deçani i jep tokën e paluajtshme për ndërtimin e hidrocentraleve, ndërkaq komuna e Deçanit merr benefite, si ndërtim të bazenit, asfaltim të rrugës, furnizim me energji elektrike, që shkojnë në shumë dhjetëra miliona euro që Deçani kurrë nuk i ka parë”, ka thënë Loshaj.

Ajo ka thënë se tani presin që Asambleja komunale e Deçanit e cila e ka miratuar këtë kontratë të reagojë për mospërmbushjen e saj dhe të marrë masa.

“Ne po presim se Asambleja Komunale në Deçan do të angazhohet që të diskutojë më shumë dhe të gjejnë mënyra se si do ta kërkojnë detyrimet që “Kelkos-i” t’i përmbush ato. Kemi dëgjuar disa lloj teorish se përse kjo kontratë nuk qenka valide. Kjo kontratë është valide me ligj dhe është votuar nga Asambleja Komunale dhe aty duhet të kthehet, në këtë kontratë janë dhjetëra milionë që po i mohohen Deçanit”, është shprehur ajo.

Loshaj ka thënë po ashtu se përgjegjësia bie edhe mbi Ministrinë e Mjedisit, e cila siç ka thënë, ka vazhduar t’i lëshojë leje “Kelkos-it” pavarësisht se nuk e ka përmbushur kontratën me komunën e Deçanit.

Edhe “Kelkosi” tërheq paditë ndaj Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferit Arbëri “Kelkosi” tërheq paditë ndaj Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferit

Në shkurt të vitit 2021 Loshaj ishte paditur nga kompania Kelkos për shpifje.

Padia kishte ardhur pas deklaratave të saj për mediat dhe në rrjetet sociale lidhur me shkeljet e Kelkosit në operimin me hidrocentrale.

Mirëpo, pas afër 8 muajsh, dhe kërkesës për dëmshpërblim qindra mijëra euro, kompania e kishte tërhequr padinë ndaj Loshajt.