Shpresa Loshaj, përfaqësuese e organizatës “Pishtarët”, i ka kujtuar ministrit të Mjedisit, Liburn Aliu, kohën kur kanë protestuar bashkë kundër lejes për hidrocentralin “Lumbardhi 1”, duke thënë se organizatat ambientaliste nuk kanë ndryshuar kauzë, por ai [Aliu] po.
Të mërkurën, organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë dorëzuar padi kundër Ministrisë së Mjedisit, pasi ishte zbuluar se ajo kishte pajisur fshehurazi “Kelkosin” me leje ujore e mjedisore për hidrocentralin “Lumbardhi 1” në Deçan për periudhë pesëvjeçare. Ministri i Mjedisit e mohoi se ka dhënë leje fshehurazi, duke thënë se “qoftë procesi i lejeve, takimi me palët apo çfarëdo procesi tjetër është publik dhe i dokumentuar”.
Në “Interaktiv” të KTV-së, Loshaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dikur thërriste mbledhje urgjente parlamentare kur ishte në opozitë për lejet për hidrocentralin “Lumbardhi 1”.
“Duhet të dalin ta shpjegojnë ministri e kryeministri. Kur të njëjtën gjë e ka bërë qeveritë e kaluara, Lëvizja Vetëvendosje ka thirrur mbledhje urgjente parlamentare për t’i anuluar këto leje. Nëse ministri u takua me “Kelkosin”, pse ministri s’takohet me shoqërinë civile? Vazhdimisht dërgojmë kërkesa për informata, por asnjëherë s’përgjigjen. Prej që ka ardhur ministri, është hera e parë që kemi marrë një përgjigje nga Ministria. Kjo i përfshin të gjitha organizatat mjedisore. Ne s’e kemi ndërruar kauzën, ministri po. Ministri me altoparlant protestonte para hidrocentralit. Kjo qasje e ministrit është e rrezikshme, por ne do të vazhdojmë në kauzën tonë”, ka thënë ajo.
Loshaj ka thënë se kërkojnë që leja fillimisht të pezullohet e më pas të anulohet e plotë pasi rrezikon jetën e qytetarëve të Deçanit.
“Fillimisht, të pezullohet leja dhe anulimin e plotë të saj. Nuk duhen fjalët për të treguar që është e kundërligjshme, mjafton të shihen fotot. Është e palogjikshme dhe e rrezikshme si kjo infrastrukturë është e sigurt. Aty është bazeni akumulues. Bazeni veç sa s’ka shpërthy për me marrë krejt Deçanin. E kanë qit krejt jetën e popullatës së Deçanit në rrezik dhe e ka mbajtur të fshehtë”, ka deklaruar ajo.
Sipas Loshajt, ministri Aliu ka vepruar edhe kundër një udhëzimi administrativ të lëshuar nga kryeministri Albin Kurti.
“E ka udhëzimin administrativ nga kryeministri që me pas pjesëmarrje publike kur lëshohen këto leje. Ministri as s’ka dashur të dëgjojë. Ministri ka vepruar kundër kryeministrit. Kjo është çështje më e thellë”, ka thënë përfaqësuesja e organizatës “Pishtarët”.
Loshaj ka theksuar se do të vazhdojnë me proceset ligjore.
“Do të vazhdojmë me proceset ligjore. Puna jonë është me ngrit shqetësime, te ministri, por ministri ka dështuar. Tash e kemi mendjen te kryeministri. Nëse duam ta shpëtojmë ambientin, duhet të veprojmë”, ka shtuar ajo.
Me ardhjen në pushtet, ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, pati paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha lejeve dhe pëlqimeve të lëshuara më parë për hidrocentralet. Por në mënyrë të heshtur në fund të vitit 2022, Ministria që ai e drejton ka lëshuar leje mjedisore për hidrocentralin e vjetër “Lumbardhi 1” në Deçan.
Sipas dokumentit që kishte siguruar nga KOHA, leja mjedisore është lëshuar pas lejes për shfrytëzim të ujit që ky hidrocentral ka marrë në po të njëjtin vit.
Por asnjëri nga këto dokumente nuk gjendet në faqen e Ministrisë. Nuk ka pasur as njoftim paraprak për ndonjë dëgjim publik, duke përjashtuar pjesëmarrjen e publikut në lëshimin e këtyre akteve.
KOHA kishte mësuar se më 23 nëntor të vitit 2023, ministri Aliu dhe një grup zyrtarësh të Ministrisë janë takuar me përfaqësues të kompanisë “KELKOS”, ku është diskutuar për hidrocentralet. Takimit i ka paraprirë një takim i ministrit me zyrtarë brenda Ministrisë.
Sipas vendimit, operatori “Kelkos Energy” pajiset me leje mjedisore për hidrocentralin ish-Kozhnjer sipas një pëlqimi mjedisor që ishte lëshuar më 2005 nga UNMIK-u. Leja është lëshuar për periudhë 5-vjeçare.
Ndërtimi i hidrocentraleve është përcjellë me shkelje të shumta dhe me tejkalime të shumta ligjore, duke dëmtuar rrjedhën e lumenjve, e shpeshherë objektet e hidrocentraleve janë ndërtuar në prona publike.
LEXO EDHE: