Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Memli Krasniqin për përzgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës duke thënë se mbështetja që e ka marrë sot i garanton udhëheqje për të zhvilluar reformat në PDK.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se si kryeministër dhe kryetar i VV-së i ofron bashkëpunim Krasniqit për tema me interes nacional.
“I uroj punë të mbarë kryetarit të ri të PDK-së, z. Memli Krasniqi. Mbështetjen që e mori sot nga strukturat e subjektit të tij i garantojnë një udhëheqje stabile për t’i zhvilluar reformat që mendon se janë të nevojshme për PDK-në. Si kryeministër i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes i ofroj bashkëpunim në temat me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve. Të punosh për Kosovën e kombin tonë nuk është kurrë mjaftueshëm dhe e kemi obligim secili”, ka shkruar ai.
Të shtunën, Krasniqi u zgjodh kryetar i ri i PDK-së me shumicën e delegatëve që votuan pro. Krasniqi, që ishte i vetmi kandidat për kryetar të partisë, u shpreh se partia ka nevojë për reflektime nga gabimet e së kaluarës e se do të bëjë opozitarizëm aktiv ndaj pushtetit.