Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka paralajmëruar mundësinë për zgjedhje të reja, pasi ka thënë që asnjëra parti nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë. Në nivelin lokal, ai ka thënë se subjekti i tij ende nuk ka marrë vendim se cilët kandidatë do t’i mbështesë në komunat në të cilat PDK-ja nuk ka shkuar në balotazh. E gjatë konferencës për shtyp, ai ka folur edhe për fituesin e garës lokale në Drenas, Ramiz Lladrovci
Kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur bindjen se Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja, pasi ka thënë se as kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe as ndonjë parti tjetër nuk i ka numrat e nevojshëm për ta formuar Qeverinë e re.
Për këtë synim, presidentja Vjosa Osmani e ka mandatuar javën e shkuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, me çka ka nisur të rrjedhë afati 15-ditor që ai t’ia paraqesë Kuvendit propozimin për Qeverinë.
Tek ka folur në konferencën e parë për shtyp pas shpalljes së rezultateve preliminare nga zgjedhjet e 12 tetorit, Krasniqi ka theksuar se bazuar në afate ligjore, votime në nivel qendror mund të ketë midis 30 nëntorit e 14 dhjetorit.
“Kurti e ka pranuar mandatin nga presidentja, i ka edhe 11 ditë ta bëjë qeverinë, unë jam i bindur që nuk i ka numrat, dhe pastaj ezaurimi i radhës së parë e sjell tentimin për provë të dytë, por nuk duket që kushdo tjetër ka shumicë”, ka theksuar ai. “Afatet janë të tilla që mund të përfundojmë në zgjedhje në mes të 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit, ndoshta më 7 dhjetor”.
Për sa i përket nivelit lokal, Krasniqi ka thënë se vendimet për mbështetjen e kandidatëve nëpër komunat në të cilat PDK-ja nuk ka shkuar në balotazh, subjekti i tij do t’i marrë pas analizave të bëra me degë të partisë.
“Kryeqyteti është temë në vetvete, do të marrë trajtimin meritor në kohën e duhur. I takon Uran Ismailit, si kryetar i degës, si njeri që ka arritë ta rrisë degën, normalisht besoj shumë që Urani ka qenë kandidati më i mirë dhe më i duhur për Prishtinën, për pak s’e arriti balotazhin. Jemi në një situatë, ku si në komunat e tjera, Uranit i takon ta thotë fjalën e tij dhe pastaj ta marrim vendimin bashkë”, ka thënë Krasniqi.
Në Prishtinë, kandidati i PDK-së për kryetar, Ismaili, sipas rezultateve preliminare, është renditur i treti, pas kandidatit të Lidhjes Demokratike (PDK), Përparim Rama, i cili ka marrë 33.75 për qind të votave, dhe atij të LVV-së, Hajrulla Çeku, i cili ka siguruar mbështetjen e 33.05 për qind të votuesve.
E për humbjen të cilën PDK-ja e ka shënuar në Drenas, Krasniqi ka thënë se kjo i ka lënë shije të hidhur partisë. I pyetur rreth paralajmërimit të fituesit në këtë komunë, Ramiz Lladrovci, se do të hyjë në zyrat e PDK-së përsëri, Krasniqi ka thënë se ai e ka pasur fjalën për zyrat e vjetra të partisë dhe jo për ato aktuale.
“Me sa e kam kuptuar, Lladrovci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët, por zyrat e PDK-së janë aty ku është Kryesia legjitime e saj, gara atje ka përfunduar”, është shprehur kryetari i PDK-së.
Në zgjedhjet lokale të së dielës, Krasniqi ka thënë se PDK-ja ka rezultuar si e vetmja parti me rritje në krahasim me zgjedhjet lokale të 2021-tës, duke marrë rreth 180 mijë vota në garën për asambletë komunale.
Kandidatët për kryetarë nga PDK-ja do të jenë në balotazh në gjashtë komuna, përderisa fitoret në raund të parë kjo parti i ka shpallur në komunat e Ferizajt, Skenderajt dhe të Hanit të Elezit.