Arbëri

Kurti takon zyrtarin e lartë amerikan: Kosova gjithmonë partnere e besueshme e SHBA-së

Hanrahan - Kurti

Kosova do të jetë gjithmonë partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti të shtunën në takim me Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti në takim ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike të SHBA-së. Bëhet e ditur se në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale Kosovë-SHBA, progresin e Kosovës në integrimin euroatlantik e zhvillimet tjera politike, përfshirë raportet me Serbinë.

“Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje z. Hanrahan në Kosovë, teksa theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. Gjithashtu, shprehu mirënjohjen e tij dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe kritike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë darkës, u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në fushën e investimeve, të diplomacisë e të mbrojtjes, si dhe progresin e Republikës së Kosovës në integrimin e saj euro-atlantik. Kryeministri Kurti shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë për thellimin dhe forcimin e mëtejmë të raporteve dypalëshe. Zhvillimet aktuale politike, bashkëpunimi rajonal dhe raportet me Serbinë, ishin po ashtu pjesë e diskutimit në takim”, thuhet në njoftim.

Kurti u takua me Hanrahanin në një darkë pune në rezidencën e ambasadorit amerikan. Në takim ishin edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ai për Komunitete e Kthim, Nenad Rashiq.

Hanrahan erdhi në Kosovë të shtunën në mbrëmje, pas vizitës që pati në Serbi.