Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti synon integrimin e institucioneve paralele arsimore e shëndetësore të Serbisë në sistem të Kosovës

Qeveria e Kosovës synon fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në sistemin e Kosovës, duke kërkuar koordinim me Bashkimin Evropian. Këtë plan, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ua shprehu ambasadorëve e diplomatëve ndërkombëtarë gjatë një takimi të mbajtur të premten. Në ambasada nuk kanë shprehur qëndrime për këtë çështje. E përfaqësues të serbëve e cilësuan planin si lëvizje përshkallëzuese

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po e synon fillimin e integrimit gradual të sistemit shëndetësor dhe arsimor serb në atë të Kosovës.

Këtë plan, ai ua ka kumtuar të premten ambasadorëve dhe diplomatëve ndërkombëtarë gjatë një takimi, në të cilin i ka ftuar për të diskutuar për çështje të tjera – mbi Ligjin për të Huaj dhe Ligjin për Automjete.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për ta nisur procesin e integrimit, Kurti në takim ka kërkuar koordinim me vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Kryeministri i informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë. Kryeministri tha se ky proces integrues do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë të merren në konsideratë”, është thënë në njoftimin e Qeverisë në detyrë.

Pas këtij njoftimi, KOHA u është drejtuar me pyetje ambasadave për t’i marrë qëndrimet e ambasadorëve të BE-së, atij gjerman, italian, francez dhe asaj amerikane lidhur me çështjen, porse gjatë së premtes nuk ka marrë përgjigje.

Paralajmërimet e Qeverisë për procesin e integrimit të sistemit shëndetësor dhe arsimor kanë qenë temë diskutimi edhe në Serbi. Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, gjatë takimit në Beograd me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e ka quajtur këtë paralajmërim si lëvizje të njëanshme dhe përshkallëzuese.

“Shëndetësia dhe arsimi e përfaqësojnë boshtin e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe vetë qendrën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe kështu edhe duhet të mbesin”, ka thënë ai në një njoftim lidhur me takimin me Sorensenin, i cili të premten ka qëndruar në Beograd, dy ditë pas vizitës së tij në Prishtinë.

Adrian Zeqiri, i cili është njohës i çështjeve politike, ka theksuar se kjo lëvizje e Qeverisë ka për qëllim minimizimin e dëmit që formimi i Asociacionit mund t’ia sjellë Kosovës.

“Nëse e shtrin pushtetin në të gjitha fushat, atëherë Asociacioni, si i tillë, është më pak i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Unë besoj se Qeveria e Kosovës mund t’i adresojë këto çështje vetëm në mënyrë të njëanshme, sepse nuk do të ketë bashkëpunim të Republikës së Serbisë. Ndoshta plani është që të krijohet një ‘fake comply’, dhe se Asociacioni, eventualisht formimi i tij, nuk do të përshtatej me situatën në terren”, është shprehur Zeqiri.

Por, ai ka shprehur drojë se kjo mund të shpjerë në një konfrontim të ri të Qeverisë së Kosovës me komunitetin ndërkombëtar.

“Këto vendime, edhe në shëndetësi edhe për arsim, do të jenë përafërsisht të njëjta siç kanë qenë ato për qarkullimin e dinarit dhe për elemente të tjera. Do të thotë, nuk do të hasim në mirëkuptim te popullata serbe apo Serbia, dhe kjo do të shkaktojë më tej protesta dhe gjëra të tilla, të cilat më pas mund ta fusin Kosovën prapë në një spirale të masave nga Bashkimi Evropian ose në një situatë, ku raportet me bashkësinë ndërkombëtare nuk do të jenë aq të mira”, ka thënë ai.

Institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore funksionojnë ilegalisht, me financim të Serbisë, në komunat e Kosovës të banuara kryesisht me serbë.

Në mandatin e kaluar, Qeveria pati mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në Kosovë, përfshirë zyra komunale, posta e ndërmarrje publike.