Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Serbia i përdori si armë viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi dhe se autorët e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, Kurti shkroi në Tëitter të hënën se qëndron me mijëra viktima të mbijetuara nga krimet e Serbisë, që ky shtet “i përdori si armë në luftën e viteve 1998-99”.

“Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, ne qëndrojmë me mijëra viktima dhe të mbijetuar nga Kosova të këtij krimi, të cilin Serbia e përdori si armë në luftën e viteve 1998-99. Viktimat e dhunës seksuale kanë nevojë për drejtësi dhe autorët duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha kryeministri.

Shteti i Kosovës nuk i ka shifrat e sakta për numrin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër shkon deri në 20 mijë.