Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë mbledhjes ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka paraqitur një ekspoze dhe është diskutuar për informatat dhe përshtypjet që i kanë përfaqësuesit e ndryshëm të organeve shtetërore të Kosovës që janë pjesë e këtij komisioni të përbashkët.
Kurti pas mbledhjes ka thënë se Vitia ka propozuar që qeveria t’i ketë edhe katër përfaqësues të tjerë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Ambientit, përfaqësuesin e Klinikes Infektive, përfaqësues të IKSHP dhe Qendrës së Situatave në Këshillin e Sigurisë, raporton KOHA.
Ai ka thënë se përgatitjet janë duke u bërë pandërprerë dhe maksimalisht.
“I ftojmë të gjithë qytetarët që nëse kanë shenja të virusit të rrinë në shtëpi e të kontaktojnë përmes telefonit e të mos shkojnë direkt në qendrat e mjeksive familjare”, ka thënë ai.
Kurti ka shtuar se janë të përgatitur nëse paraqiten raste me koronavirus.
Ndërkaq lidhur me mjetet që janë planifikuar për koronavirusin, Kurti ka thënë se ato mjete nuk do lëshohen menjëherë, por se do të bëhet varësisht prej nevojave.
Ai ka thënë se nuk ka nevojë për frikë e panik, dhe se janë në gjendje gatishmërie në të gjitha sektorët.
“Për shkak se janë mbyllur shkollat nuk do të thotë që nuk ka mallra e as që do të mbyllen shitoret. Nuk do të ketë mungesë të mallrave sepse do të importojmë ngase jemi të varur nga importi.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se edhe dje me testimin e disa mostrave, kanë dalë negative, derisa ka shtuar se janë duke u testuar edhe të tjerë.
Ai ka thënë se nuk ka vend për panik nuk ka, por se ka kërkuar mobilizim të shtuar edhe nga ana e institucioneve edhe nga qytetarët.
Sipas tij, këshillat që janë dhënë nga IKSHP duhet të praktikohen në mënyrë strikte.
“Sot kam marr rekomandim nga IKSHP për mbylljen e kufijve për një kohë të shkurtë në mënyrë që të parandalohet ardhja e koronavirusit", ka thënë ai.