Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Vitia: Po përgatitemi t’i ngrisim të gjitha kapacitetet në rast nevoje për reagim të shpejtë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se janë në gjendje gatishmërie për dërgim të ekipeve në rast se mund të ketë nevojë në Spitalet e Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, pas sulmeve të fundit të ndodhura në veri të vendit, të cilat ende po vazhdojnë.

Në konferencën për media të mbajtur të hënën në QKUK, Vitia ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës, atë të Vushtrrisë dhe në QKUK për të ngritur të gjitha kapacitetet në rast të nevojës për reagim sa më të shpejtë.

“Nga mëngjesi sot, nga orët e para të mëngjesit kur kemi marrë lajmin, janë bërë të gjitha përgatitjet në Spitalin e Mitrovicës, Vushtrrisë dhe QKUK, për të ngritur të gjitha kapacitetet nëse ka nevojë për të reaguar sa më shpejt për të cilën shpresojmë që nuk do të ketë nevojë. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme për nevojat eventuale sa i përket pjesës shëndetësore, tani do të organizohemi që të përgatitemi sa më shpejt nëse ka diçka që të dërgojmë menjëherë”, ka thënë ai.

Vitia ka shtuar se gjendja e policit të lënduar është stabile, teksa ka ngushëlluar familjarët e policit të vrarë, kolegët dhe të gjithë qytetarët e Republikës.