Arbëri

Kurti në Epopenë e Dukagjinit: Familja Haradinaj e di vlerën e lirisë

Vjosa Osmani

Në shënimin e 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se familja Haradinaj e di vlerën e lirisë dhe të ushtrisë. Ai tha të premten se familja Haradinaj është familje dëshmorësh e kombit shqiptar.

“Familja Haradinaj ia di vlerën lirisë dhe ushtrisë. Është familje e dëshmorëve të kombit me gjeneral nga lufta. Ushtria është pjesë e paanshme e kësaj familjeje. Sot me ushtrinë tonë e kemi Luanin toger, i cili me zell e përkushtim i shërben atdheut në uniformen e FSK-së. Duke kujtuar UÇK-në, duke zhvilluar FSK-në, mbrojmë Republikën, përparojmë kombin, i kontribuojmë Evropës”, deklaroi ai në ceremoninë e shënimit të kësaj date.

Sipas kryeministrit, bombardimet e NATO-s e ndalën gjenocidin e regjimit fashist të Slobodan Milosheviqit.

“Në aspektin politik, Bill Clinton, në atë diplomatik Madeleine Albright, në atë informues James Rubin, në atë ushtarak Wesley Clark. Bombardimet e ndalën gjenocidin ndaj kombit shqiptar nga regjimi fashist i Millosheviqit. Ky akt i dha mbështetjen të fuqishme vendit tonë jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe në konfirmimin e fuqishëm se e drejta ishte në anën tonë dhe Serbia ishte agresori i cili po kryente gjenocid mbi popullin e Kosovës”, u shpreh ai.


Haradinaj: 24 marsin e 98-s e njohim si ditën e fitores, Kosova e ka vendin në NATO

Një fjalë rasti në këtë ceremoni e ka mbajtur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se 24 marsin e njohin si ditë të fitores.

“E vërtetë që Gazmendi e Agroni kanë qenë luftëtarë të hershëm, ata veç kishin vite luftë, krahas Shkëlzenit, Dautit e edhe Luanit, Hima ishte i ri, ishte në fillim, këta të tre atë ditë u flijuan në një betejë që mori kuptim, kuptimi i kësaj beteje, është fitorja, pra me luftu, me shpëtu, me mbet gjallë, me fitu”, ka theksuar Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, ka thënë vendi ynë do të rreshtohen në aleancë me NATO-n dhe se meriton anëtarësimin në këtë Aleancë. “Kosova e ka vendin në NATO dhe krah NATO-s për të ndihmuar paqen dhe lirinë, ashtu si ne dikur na u shpëtuan jetët tona e u ndihmua liria jonë”, ka theksuar Haradinaj.

Para kësaj ceremonie kryeministri Kurti, bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Pas homazheve, kryeministri Kurti ka shkruar edhe në librin e përkujtimeve, ku është shprehur se dëshmorët janë dëshmia historike e popullit shqiptar “për të jetuar në paqe në vendin e vet”.

Ai tutje ka shprehur lavdi për të gjithë dëshmorët shqiptarë, edhe atyre të Epopesë së Dukagjinit e UÇK-së.

“Dëshmorët e kombit janë kushti dhe mundësia e lirisë që gëzojmë, dhe, dëshmia historike e popullit shqiptar për të jetuar në paqe në vendin e vet. Lavdi dëshmorëve të Epopesë së Dukagjinit, të UCK-së e mbarë kombit tonë në të gjitha kohët”, ka shkruar Kurti.

Homazhe në Gllogjan ka bërë edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Më 24 mars të vitit 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe forcave të Serbisë, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

Synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj e Gazmend e Agron Mehmetaj.