Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën që e kanë - nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë. E 6 milionë euro të tjera për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Nga opozita, vendimin e kanë cilësuar si “blerje të votës” me para të qytetarëve e në shoqërinë civile kanë vlerësuar se me këtë është tejkaluar kufizimi që kanë qeveritë në detyrë
Pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, Qeveria në detyrë, ka vendosur të ndajë miliona euro për studentët, familjet në nevojë e konsumatorët e cenueshëm.
Sipas vendimit të kabinetit qeveritar, 20 milionë euro janë ndarë për mbështetjen e studentëve bazuar në distancën që e kanë - nga vendi i banimit tek ai ku studiojnë.
E 6 milionë euro të tjera për një shtesë prej 100 eurosh për të gjithë studentët me rastin e fillimit të vitit të ri akademik.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka arsyetuar vendimin dhe ka thënë se njëri është premtim i dhënë gjatë fushatës në zgjedhjet e përgjithshme, e tjetri është vazhdimësi e përkrahjes për studentët.
“Kjo është e ndërlidhur me vitin akademik dhe është një premtim, pra bursa e mobilitetit është dhënë si premtim në janar të këtij vit. Ne kemi supozuar se deri tash institucionet do të ishin e përmbyllur procesi i formimit të institucioneve të reja dhe ky premtim do të fillonte zbatimin me fillimin e vitit akademik të ri. Por meqenëse jemi në situatën si qeveri në detyrë megjithatë, kjo nuk na ka ndaluar që ne të vazhdojmë tutje dhe ta zbatojmë këtë premtim që e kemi dhënë si qeveri Kurti 3, pra ta zbatojmë për këtë vit akademik”, ka thënë ministri Murati. Sipas tij, mbështetja prej 100 eurosh për studentët është bërë për dy vite radhazi edhe më herët.
Një milion euro janë ndarë edhe për pako ushqimore për familjet në nevojë.
“Edhe vitin e kaluar kemi pasur shembullin kur kemi mobilizuar organizata humanitare e të cilat mund të kenë informata apo edhe qasje më të thellë te ato familje që nuk mund të arrihen nga mekanizmat standard të shtetit, siç është asistenca sociale. Kësisoj kemi bërë edhe ndarjen e shumës 1 milion euro për pakot ushqimore të familjeve në nevojë”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e Qeverisë të martën, është bërë e ditur edhe për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për familjet në të cilat të ardhurat mesatare për anëtar janë më të ulëta se 150 euro në muaj. Sipas ministrit Murati, vitin e shkuar janë ndihmuar rreth 80 mijë familje.
“Pra nëse një familje katëranëtarëshe ka më pak se 600 euro në muaj i bie të kualifikohet për program ku një pjesë e faturës energjetike i subvencionohet nga shteti”, ka sqaruar ai.
Vendimi i qeverisë në detyrë për të ndarë 26 milionë euro për studentët, në prag të zgjedhjeve, është kritikuar nga partitë deri tash në opozitë e edhe nga shoqëria civile.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Kurti është në panik “nga humbja e madhe që e pret të dielën”.
“Kryeministri në largim, i cili tashmë ka humbur çdo legjitimitet, duket se po e përjeton panikun nga humbja e madhe që e pret të dielën. Pas katër vitesh dështimesh në qeverisje dhe degradimi të sistemit arsimor, ai sot vendosi të ndajë 26 milionë euro, nga 100 euro për student, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve. Kjo nuk është mbështetje e sinqertë për studentët, por përpjekje e hapur për blerje vote”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka ftuar studentët që të marrin paratë që u janë ndarë nga Qeveria në detyrë por me votën e tyre të ndëshkojnë kryeministrin aktual.
“Megjithatë, ky është një tjetër gjykim i gabuar për studentët kosovarë, sepse ata as nuk blihen e as nuk shiten. Unë i ftoj studentët që t’i marrin ato mjete, që janë nga taksat e familjeve të tyre, por të dielën ta përdorin votën e tyre për ta ndëshkuar një kryeministër që ka rrezikuar të ardhmen e tyre dhe të shtetit”, ka thënë ai.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se 26 milionë eurot e ndara për studentët është kostoja e blerjes së votës nga Lëvizja Vetëvendosje.
“26 milionë Euro, kostoja e blerjes së votës nga ana e LVV-së. Prokuroria është vonu t'i nxjerrë nga zyra këta uzurpator që blejnë vota me taksa të qytetarëve. Kjo është skemë e korrupsionit publik. Qytetarët do t'i ndëshkojnë keqpërdoruesit më 12 tetor”, ka shkruar ajo.
Vendimi është kritikuar edhe në shoqërinë civile. Hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, ka thënë se vendimet e së martës bien ndesh me kufizimet që Ligji për Qeverinë parasheh për qeverinë në detyrë.
Sipas Cakollit, deri më tani nga qeveria në detyrë janë ndërmarrë masa në vlerë mbi 100 milionë euro.
“Përtej aspektit ligjor, miratimi i këtyre masave vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale përbën shembull të qartë të përdorimit të resurseve publike për qëllime elektorale. Një veprim i tillë cenon garën e barabartë zgjedhore, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët e subjektit politik që udhëheq qeverinë dhe ndikon në sjelljen e votuesve, sidomos tek grupet e ndjeshme si studentët”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e mbajtur të martën, Qeveria në detyrë, ka ndarë edhe 2.5 milionë euro shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe ka ndarë 150 mijë euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e 50 mijë euro për realizimin e projektit për Integrimin e Trashëgimisë Kulturore në Planifikimin Hapësinor.