Kandidati i partisë Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, pas një ligjërate të mbajtur me studentët e ISPE-së dhe atyre të Universitetit Heidelberg, tha se temë e bisedës ishte shtetndërtimi i Kosovës ku theksi kryesor ishte që shtetndërtimi duhet të bëhet me një zhvillim ekonomik.
“Shtetndërtimi në Kosovë e ka pasur komponentin e funksionimit të shtetit por jo të ekonomisë dhe me Vetëvendosjen do të ketë zhvillim ekonomik”, tha Kurti në një konferencë për media.
Sa i përket asaj që Vetëvendosja nuk i njeh simbolet dhe himnin e Kosovës, Kurti tha se kudo që kanë qenë simbolet e Kosovës, Vetëvendosje nuk i ka hequr dhe nuk i ka dëmtuar ato.
“Nuk keni asnjë rast që deputetët e Vetëvendosjes i kanë dëmtuar ato”, tha Kurti.
Por, duhet kujtuar se aktivistë të kësaj partie, disa herë e kanë hequr flamurin e shtetit të Kosovës të vendosur në një shtizë tek rrethrrotullimi i madh në hyrje të Prishtinës kah Veterniku, raporton Koha.net.
Atë e zëvendësonin vazhdimisht me flamurin kombëtar, kuq e zi, kryesisht gjatë festës së Flamurit.
Edhe
Simbolet shtetërore nuk shihen në eventin ku partia në pushtet promovoi qeverisjen
Po ashtu, edhe nëpër qytete tjera të Kosovës, me rastin e festës së 28 nëntorit, Ditës së Flamurit, aktivistë të Vetëvendosjes janë përleshur me Policinë e Kosovës pikërisht për shkak të heqjes së flamurit shtetëror të Kosovës, të cilët i zëvendësonin me ata kuqezi.
Ndërkaq, derisa kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe anëtarja tjetër e kësaj partie, Donika Kadaj Bujupi po merrnin pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Aleancës Kosova e Re (më 24 shkurt 2017), aty u intonua himni i shtetit të Kosovës. Ymeri e Kadaj Bujupi nuk u ngritën në këmbë, ndërsa ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç, që po ashtu po merrte pjesë në atë Kuvend, u ngrit.
Të njëjtit, Ymeri e Kadaj Bujupi, u ngritën në këmbë kur në sfond u dëgjua himni kombëtar.