Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: AKI-ja po kontribuon edhe në sigurinë rajonale e më gjerë

Albin Kurti - AKI

“Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere”, ka shkruar kryeministri. “Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format e tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka kontribuar në vitet e fundit, jo veç në sigurinë kombëtare, por edhe në atë rajonale e më gjerë.

Këtë e ka theksuar, pasi ka vizituar këtë institucion në 17-vjetorin e themelimit, e me të cilin rast është përuruar edhe një objekt modern në kompleksin e AKI-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë vizitës së bërë një ditë më parë, por për të cilën ka njoftuar të shtunën, Kurti është pritur nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, stafi drejtues dhe zyrtarë të tjerë.

“Inteligjenca mbetet një nga hallkat më të rëndësishme në mbrojtjen e sovranitetit, duke garantuar që Republika jonë të jetë e përgatitur për çdo sfidë dhe të marrë vendime të informuara”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook. “Në kuadër të prioriteteve tona për të mbështetur sektorin e sigurisë, AKI ka pasur mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rritje të lartë të buxhetit dhe kjo mbështetje do të vazhdojë”.

Kurti ka shkruar se e inkurajon fakti që AKI-ja është duke avancuar vazhdimisht kapacitetet e saj teknologjike, analitike dhe operative, me ambicie dhe objektiva të qarta, duke u përshtatur me realitetin e ri të sigurisë dhe duke forcuar bashkëpunimin me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Sukseset e AKI-së përgjatë viteve të fundit kanë kontribuuar në sigurinë kombëtare, rajonale dhe më gjerë, në bashkëpunim të afërt me institucionet vendore dhe shërbimet partnere”, ka shkruar kryeministri. “Kërcënimet nga spiunazhi, kërcënimet hibride dhe kibernetike, ekstremizmi dhe radikalizmi, krimi i organizuar dhe format e tjera të kërcënimeve ndaj sigurisë kombëtare, janë trajtuar me profesionalizëm, duke ndikuar në avancimin e sigurisë kombëtare”.

Kurti ka theksuar se gjatë vizitës në AKI, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin për stafin drejtues dhe të gjithë zyrtarët e AKI-së “që shërbejnë me nder, përkushtim të lartë dhe atdhedashuri, në një profesion që është mision, shpesh në heshtje, por gjithmonë në mbrojtje të Republikës dhe të qytetarëve të saj”. Ai ka ndarë edhe certifikatat për zyrtarët e rinj.