Në një takim me përfaqësuesit e mediave dhe të shoqërisë civile, Prokuroria Themelore e Pejës, kryeprokurori Agim Kurmehaj tha se është rritur besimi në prokurori dhe polici.
Megjithatë, ai tha se nuk është i kënaqur me dënimet që po iu shqiptohen hajnave të pyjeve.
“Do të mundohemi që ndaj këtyre kryerësve të veprave penale të ndërrohet politika ndëshkimore. Në fillim kemi pasur problem me gjykatën, sepse nëse e kanë zënë me 5 metra dru e kanë liruar dhe për këtë kam folur me kryetarin e Gjykatës Themelore të Pejës, se nëse luftojmë një dukuri duhet të kemi si prokurori një mbështetje që me pa edhe kryerësit e veprave penale se e kemi seriozisht. Se kur kam nisur si prokuror në vitin 2003 për pesë metra dru të vjedhura në pyll kanë shkuar 6 e më shumë muaj në burg. E sot kjo nuk po ndodh. Politika ndëshkimore nuk është në nivelin e duhur. Se kur e sheh një person që ka pesë vepra penale për vjedhje të pyllit, nuk e di çka duhesh me pasë mëshirë ndaj tij”, adreson Kurmehaj kritikat te Gjykata e Pejës për dënimet e buta që po i shqiptojnë ndaj hajnave të pyjeve.
Kurmehaj këtë kritikë e mbështet edhe në lëndët e dërguara në gjykata, e cila gati gjysmën e tyre i ka liruar. “Nëse prokuroria i ngre 50 aktakuza për prerje të pyllit dhe gjykata i liron 20 prej tyre, ose është problemi te aktakuzat e dobëta dhe të pabazuara nga prokurorët apo është në pyetje gjykata. Duhet me marrë dikush përgjegjësi për këtë. Mendoj që do të jetë temë që do të trajtohet vitin tjetër”, thotë Kurmehaj, sipas të cilit, në kuadër të mbrojtjes së mjedisit si objektiv, do të jenë prioritet edhe separacionet dhe gurthyesit, për të cilët nga niveli qendror do të kërkohet se a kanë të gjithë leje dhe a janë lëshuar ato brenda konditave ligjore sepse, sipas Kurmehës, është degraduar mjaft lumi dhe mjedisi nga separacionet dhe gurthyesit.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)