Arbëri

Kundërmim nga mbetjet e lëngshme të bërllokut, të cilat mbulojnë rrugët

Banorët e lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë thonë se janë në hall për shkak të kundërmimit dhe ndotjes së rrugëve me mbetjet e lëngshme të bërllokut pas mbledhjes së tij. Kërkojnë që të lahen rrugët ngase shtresat e mbetjeve tashmë janë bërë të shumëfishta. Përderisa Komuna e Prishtinës ka refuzuar të flasë për këtë çështje, kompania “Pastrimi” ka thënë se janë qytetarët ata të cilët hedhin mbeturina të lëngshme, gjë e cila e shkakton këtë rrjedhje

Banorët e lagjes “Bregu i Diellit” po ankohen për kundërmimin për shkak të mbetjeve të lëngshme të bërllokut që kanë mbuluar sipërfaqet e rrugëve në afërsi të kontejnerëve. Në zonat ku ka banesa e ku bërlloku mblidhet çdo natë, shtresat e lëngshme që barten nga kamionët teren gjatë ditës dhe të nesërmen të tjera shtresa të reja krijohen. Banorët thonë se ka shumë kohë që rrugët nuk janë larë.

“Po na pengon shumë kjo gjendje, se edhe kopshti i fëmijëve është këtu afër e po kundërmon erë shumë e keqe”, ka thënë një banor i lagjes.

Banorë të tjerë thonë se qe një kohë të gjatë kjo rrugë është në këtë gjendje, duke shtuar se nuk janë të informuar që një ankesë për këtë gjendje është drejtuar në kompani të pastrimit ose në komunë.

“Jo, për ndonjë ankesë nuk jam i informuar, por si banor i kësaj lagjeje po e them se kjo erë është duke na penguar çdo ditë”, ka thënë një banor tjetër i lagjes.

Ata kanë treguar se edhe bizneset që gjenden aty afër i hedhin mbeturinat e tyre që kryesisht janë mbetje organike dhe të ushqimeve dhe kjo vetëm sa e bën kundërmimin edhe më të madh.

Ndërkohë, KOHA është munduar të kontaktojë me Komunën lidhur me këtë gjendje, por të njëjtit nuk kanë pranuar të japin përgjigje.

Ndërsa kompania “Pastrimi”, e cila është përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave dhe larjen e pjesës afër kontejnerëve, ka thënë se janë qytetarët ata që i shkaktojnë ato rrjedhje, kësisoj duke e shkaktuar edhe kundërmimin.

“Kompania “Pastrimi” është duke u ballafaquar këto ditë me rrjedhje te mbeturinave nga kamionët gjatë kryerjes së shërbimit të bartjes së mbeturinave, të cilën gjendje po e krijojnë qytetarët duke hedhur mbeturina të lëngshme si shalqinj e gjëra me mbetje të tilla. Në rrugën e saktësuar nga ana e juaj, kontejnerët janë dezinfektuar të premten e kaluar dhe po ashtu do të dezinfektohen sot në mbrëmje, që nënkupton se orari i larjes së kontejnerëve është çdo të premte në këtë lokacion”, ka thënë zëdhënësja e kompanisë, Arbnore Ademaj.

Tutje, ata kanë bërë thirrje te qytetarët që të mos hedhin mbeturina dhe gjësende të lëngshme nëpër kontejnerë, pasi këto mbeturina të lëngshme po krijojnë rrjedhje nga kamionët, duke shtuar se thirrje bëjnë edhe në organet kompetente që të merren me këtë dukuri.