Arbëri

Kulla thotë se Edi Rama është përballë vendimeve më të vështira politike

Ilir Kulla

Analisti nga Shqipëria, Ilir Kulla, ka thënë se kryeministri Edi Rama është përballë vendimeve më të vështirë politike prej që është në pushtet. Gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Kulla ka thënë se drejtësia e re ka mundësuar realitete të reja në politikën e Shqipërisë.
I pyetur nga Surroi nëse pret që deri në fund të vitit kryeministri i Shqipërisë të mbetet i njëjti, Kulla ka thënë se situatat e jashtëzakonshme krijojnë kushte për zgjidhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, Rama ndodhet përballë disa skenarëve kritikë: ose një marrëveshje e madhe politike me Sali Berishën për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të reduktuar pushtetin e drejtësisë speciale, ose një përballje direkte me drejtësinë, ku hetimet mund të prekin edhe rrethin e tij më të ngushtë qeveritar.

Surroi shtoi se një tjetër mundësi është kërkimi i një legjitimiteti të ri politik përmes zgjedhjeve, por Kulla theksoi se, me rregullat aktuale të lojës, ky skenar është shumë i vështirë për t’u realizuar, përveçse nëse ndryshohen vetë rregullat politike dhe zgjedhore në vend.

Sipas Kullës, përtej këtyre dilemave, Rama përballet me një betejë edhe më të vështirë: luftën kundër asaj që ai e quajti “kartelet e drogës”. Analisti theksoi se ky është një vendim që nuk mund të merret nga askush tjetër përveç vetë kryeministrit dhe kërkon një rikonfigurim total të institucioneve të sigurisë, përfshirë shërbimet informative, policinë dhe doktrinën kombëtare të sigurisë, si dhe një luftë të hapur kundër klaneve kriminale.

Kulla vlerësoi se një ndërhyrje e tillë do të kishte kosto edhe për ekonominë e vendit, por do t’i garantonte Ramës një vend në histori si udhëheqësi që e çoi Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai kritikoi mungesën e vendimmarrjes, duke thënë se që nga fillimi i goditjeve të drejtësisë në fillim të vitit 2025, vendimi i vetëm real i kryeministrit ka qenë “të mos marrë vendim”.
Në këtë kontekst, Kulla solli një episod simbolik, duke përshkruar se ndërsa drejtuesit politikë ndodheshin në ceremoni zyrtare dhe ndanin dekorata, diplomatët e huaj ishin mbledhur pranë institucioneve të drejtësisë për të vendosur se kush do të drejtonte sistemin e drejtësisë në vitet e ardhshme (kreu i SPAK v.j.).

Në fund, Kulla theksoi se Edi Rama ka përvojën dhe dijen për të marrë vendime të mëdha dhe dëshirën për të dalë nga kriza politike, por mbetet për t’u parë nëse ai i ka edhe kapacitetet për të përballuar sfidat që ndodhen përpara tij.


 

Lexo përditësimet tjera
Ilir Kulla

Ilir Kulla në PIKË me Veton Surroin