Arbëri

Ilir Kulla në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 37-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është analisti Ilir Kulla.

Kulla thotë se Edi Rama është përballë vendimeve më të vështira politike

18 o. më parë / 4 jan 2026 20:50
Ilir Kulla

Analisti nga Shqipëria, Ilir Kulla, ka thënë se kryeministri Edi Rama është përballë vendimeve më të vështirë politike prej që është në pushtet. Gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Kulla ka thënë se drejtësia e re ka mundësuar realitete të reja në politikën e Shqipërisë.
I pyetur nga Surroi nëse pret që deri në fund të vitit kryeministri i Shqipërisë të mbetet i njëjti, Kulla ka thënë se situatat e jashtëzakonshme krijojnë kushte për zgjidhje të jashtëzakonshme. Sipas tij, Rama ndodhet përballë disa skenarëve kritikë: ose një marrëveshje e madhe politike me Sali Berishën për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të reduktuar pushtetin e drejtësisë speciale, ose një përballje direkte me drejtësinë, ku hetimet mund të prekin edhe rrethin e tij më të ngushtë qeveritar.

Surroi shtoi se një tjetër mundësi është kërkimi i një legjitimiteti të ri politik përmes zgjedhjeve, por Kulla theksoi se, me rregullat aktuale të lojës, ky skenar është shumë i vështirë për t’u realizuar, përveçse nëse ndryshohen vetë rregullat politike dhe zgjedhore në vend.

Sipas Kullës, përtej këtyre dilemave, Rama përballet me një betejë edhe më të vështirë: luftën kundër asaj që ai e quajti “kartelet e drogës”. Analisti theksoi se ky është një vendim që nuk mund të merret nga askush tjetër përveç vetë kryeministrit dhe kërkon një rikonfigurim total të institucioneve të sigurisë, përfshirë shërbimet informative, policinë dhe doktrinën kombëtare të sigurisë, si dhe një luftë të hapur kundër klaneve kriminale.

Kulla vlerësoi se një ndërhyrje e tillë do të kishte kosto edhe për ekonominë e vendit, por do t’i garantonte Ramës një vend në histori si udhëheqësi që e çoi Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai kritikoi mungesën e vendimmarrjes, duke thënë se që nga fillimi i goditjeve të drejtësisë në fillim të vitit 2025, vendimi i vetëm real i kryeministrit ka qenë “të mos marrë vendim”.
Në këtë kontekst, Kulla solli një episod simbolik, duke përshkruar se ndërsa drejtuesit politikë ndodheshin në ceremoni zyrtare dhe ndanin dekorata, diplomatët e huaj ishin mbledhur pranë institucioneve të drejtësisë për të vendosur se kush do të drejtonte sistemin e drejtësisë në vitet e ardhshme (kreu i SPAK v.j.).

Në fund, Kulla theksoi se Edi Rama ka përvojën dhe dijen për të marrë vendime të mëdha dhe dëshirën për të dalë nga kriza politike, por mbetet për t’u parë nëse ai i ka edhe kapacitetet për të përballuar sfidat që ndodhen përpara tij.


 

Kulla: Duhet të jemi gati, Serbia po investon në mbrojtje si të ishte në luftë

18 o. më parë / 4 jan 2026 20:28
Ilir Kulla

Ilir Kulla në Pikë me Veton Surroin

Analisti Ilir Kulla gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Veton Surroin ka theksuar se Serbia po rrit ndjeshëm buxhetet dhe investimet në mbrojtje, duke vepruar “si një vend që është realisht në luftë”. 

Sipas tij, kjo situatë nuk mund të injorohet nga Kosova, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Serbia jo vetëm që nuk e njeh shtetin e Kosovës, por po investon më shumë në mbrojtje sesa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, përfshirë edhe ato që janë anëtare të NATO-s (Kroacia e Shqipëria).

Surroi e vendosi diskutimin në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, duke theksuar se bota po rikonfigurohet në mënyrë dramatike: Lindja e Mesme, marrëdhëniet Rusi–Perëndim, Euroazia dhe vetë bota euroatlantike. Ai nënvizoi se nuk mund të merret më si e mirëqenë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të garantojnë sigurinë evropiane pa kushte dhe pafundësisht.

Duke folur për Kosovën, Kulla ka thënë se vendi duhet të jetë i përgatitur për të gjitha skenarët, duke kujtuar sulmin në Banjskë dy vjet më parë dhe se, pa ndërhyrjen e Perëndimit, situata mund të kishte përshkallëzuar në hyrjen e forcave serbe. E Surroi e cilësoi raportin Kosovë–Serbi si një “luftë të papërfunduar”.

VIDEO:

Sipas Kullës, Kosova ka detyrim strategjik të investojë fuqishëm në mbrojtje, duke përmendur nevojën për rreth një miliard euro në vit për disa vite me radhë, për kapacitete të këmbësorisë, mbrojtjes ajrore, forcave ajrore, teknologjisë informative dhe inteligjencës civile e ushtarake. Ai theksoi se kjo nuk është çështje dëshire politike, por domosdoshmëri për sigurinë kombëtare.

Në pjesën e dytë të diskutimit, Kulla ngriti çështjen e një Plani B për shqiptarët, në rast se procesi i integrimit evropian dështon. Ai vuri në dukje se nisma si “Ballkani i Hapur”, ndryshimi i kufijve dhe edhe Procesi i Berlinit nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Si alternativë, Kulla përmendi idenë e një konfederate ndërshqiptare, që do të ruante autonominë e secilës palë, por do të forconte mbijetesën dhe sigurinë kolektive.

Surroi shtoi se shpresa mbetet integrimi në BE, por paralajmëroi se realiteti gjeopolitik kërkon mendim strategjik afatgjatë dhe përgatitje për skenarë të ndryshëm.

Nga ndryshimi i kufijve te portet, Surroi e Kulla diskutojnë për qëllimin e Rusisë në Ukrainë

19 o. më parë / 4 jan 2026 20:08
Ilir Kulla

Në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe analisti i gjeopolitikës Ilir Kulla diskutuan luftën në Ukrainë dhe strategjinë afatgjatë të Rusisë për ndryshimin e kufijve në Evropë përmes forcës.
Sipas Kullës, lufta në Ukrainë nuk është thjesht një konflikt rajonal, por pjesë e asaj që ai e cilëson si “lufta në Mesdhe” dhe në kontinentin evropian, ku Rusia ka ndjekur prej vitesh synimin historik për zgjerim territorial. Ai theksoi se Moska ka shfrytëzuar dobësinë dhe naivitetin perëndimor për të avancuar projektin e saj, duke filluar që nga viti 2008 me Abhazinë dhe më pas në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë.

Surroi rikujtoi se presidenti rus Vladimir Putin nuk e ka fshehur asnjëherë ambicien për të “korrigjuar” kufijtë e humbur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, duke e cilësuar atë si “fatkeqësinë më të madhe” për Rusinë. Sipas tij, kjo filozofi ka udhëhequr veprimet ruse në Ukrainë dhe më gjerë.
Surroi e përgëzoi Kullën për qëndrimin kundër karshi idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, duke thënë se ideja ishte projekt rus.

Kulla ndërkohë shtoi se Rusia është mbështetur në disa shtylla kryesore për luftën në Ukrainë: pastrimin etnik në zonat me popullsi rusofone, kontrollin ekonomik përmes energjisë, drithërave dhe mineraleve të rralla, si dhe dominimin e porteve strategjike, veçanërisht në Detin e Zi. Ai theksoi se synimi fillestar ishte marrja e porteve si Mariupoli dhe izolimi i Ukrainës nga deti, duke lënë vetëm Odesën si dalje të fundit.

Në diskutim u nënvizua edhe përdorimi i demografisë si instrument sigurie kombëtare, përmes zhvendosjeve të detyruara të popullsisë dhe ndryshimit të përbërjes etnike të territoreve të pushtuara. Po ashtu, Kulla ngriti shqetësimin për shfrytëzimin e shëndetësisë dhe krizave si pandemia e COVID-19, duke vendosur spitalet nën kontroll ushtarak në zonat e pushtuara.

Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se lufta në Ukrainë ka ndryshuar thellësisht arkitekturën e sigurisë evropiane dhe se pasojat e saj do të ndihen për një kohë të gjatë, jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë kontinentin.