Pas shumë diskutimeve se a është e nevojshme linja e rregullt e autobusit Prishtinë-Aeroport dhe anasjelltas, para tre muajsh kjo linjë më në fund u lëshua në qarkullim.
Por, ky vendim po del të jetë jo i duhur. Kryeshefi Ekzekutiv i Trafikut Urban në Prishtinë, Lulëzim Rexhepaj, thotë për Ekonomia Online se kjo linjë nuk ka dhënë produktivitetin e pritur, dhe se janë duke operuar me humbje.
Thotë se për një muaj në këtë linjë udhëtojnë vetëm rreth 4 mijë udhëtarë, që është numër i vogël për të mbuluar shpenzimet, që sipas tij janë të mëdha.
“Linja e aeroportit një linjë e re e shumëpritur, nuk është në nivelin e dëshiruar, dhe them me përgjegjësi se jemi duke operuar me humbje. Mirëpo Komuna e Prishtinës na kompenson neve. Është zotimi dhe përkushtimi i Komunës së Prishtinës që ketë shërbim t’ia ofrojë qytetarëve që udhëtojnë në aeroport dhe do të vazhdojë të funksionojë. Në linjën e aeroportit për dy muaj janë dikur rreth 8000 mijë udhëtarë që i bie 4000 mijë për 1 muaj, dhe shpenzimet janë shumë të mëdha”, tha ai.
Në komunën e Prishtinës operojnë 51 autobusë, që janë të pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha linjat.
Edhe
Rexhepaj: Plani i mobilitetit në kryeqytet është i jashtëzakonshëm, do të implementohet në faza
Por, kryeshefi Rexhepaj thotë se kanë në plan të blejnë edhe 30 autobusë të rinj, por për momentin thotë se janë duke e paguar kredinë për autobusët e blerë.
“Në planet tona është edhe blerja e autobusëve të rinj, por momentalisht jemi duke paguar kredinë për blerjen e këtyre autobusëve. Por ndoshta në vitet e ardhshme së shpejti do ta kemi një plan edhe për blerjen e 30 autobusëve tjerë. Momentalisht nuk mund të zgjerohemi, por në të ardhmen parashihen linjat e reja, dhe disa nga linjat do ta ndryshojnë drejtimin. Me 51 autobus do t’i mbajmë këto linja qe i kemi tani”, tha ai
Rexhepaj thotë se në kuadër të rritjes së përgjegjësisë ndaj qytetarëve kanë krijuar një sistem për pranimin e ankesave dhe trajtimin e tyre.
“Në ndërmarrjen tonë kemi ndërtuar një sistem për pranim,trajtim dhe kthim të përgjigjeve ndaj qytetarëve. Me marrjen e detyrës së kryeshefit ekzekutiv kam organizuar një komision të quajtur komisioni i ankesave, qe me shumë seriozitet e trajtojmë çdo ankesë,shqetësim apo kërkesë të qytetarëve.”
Edhe
Rifilloi linja e trafikut urban për në Aeroportin e Prishtinës
Kryeshefi ekzekutiv thotë se ankesat e qytetarëve kanë qenë rreth vonesave të autobusëve dhe ata kanë kërkuar shtimin e linjave të reja.
“Ankesat më të shpeshta të qytetarëve janë rreth vonesave të autobusëve për shkak të trafikut të dendur,dhe qytetarët me plotë të drejtë kërkojnë të shtohet numri i linjave, por s’kemi mundësi me këto kapacitetet e tanishme. Qytetarët ankohen edhe për operatorët privat e cila nuk është kompetencë e jona,sepse shumica e operatorëve privat nuk respektojnë orarin e qarkullimit”, tha ai.