Arbëri

Kryeministri sërish i pakënaqur, kësaj here vetëm me inspektorët

Kryeministri Avdullah Hoti, "është ankuar" se disa inspektorë po tregohen seleksionues gjatë monitorimit nëse po respektohen masat e Qeverisë dhe ekspertëve shëndetësorë për mospërhapjen e koronavirusit.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo nuk do të tolerohet. Në fakt, kjo është hera e dytë që Hoti ankohet për një gjë të tillë. Para tri javësh ishte ankuar për Polici dhe për Inspektorat se nuk po i përfillin urdhrat e Qeverisë.

“Me shqetësim pranova informatën se në raste të caktuara, inspektorët janë selektivë ndaj atyre që nuk respektojnë masat. Kjo nuk do të tolerohet. Nesër do të kem raport me shkrim nga institucionet përkatëse”, ka shkruar Hoti.

Në rastin e parë, ai pati thënë se zinxhiri komandues në Polici e Inspektorat duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektim të vendimeve të Qeverisë.

“Inspektorati dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre dhe të zbatojnë ligjin dhe vendimet të qeverisë për mbajtjen e distancës, maskës. Jemi të shqetësuar me mosrespektimin e masave në disa raste dhe me mosangazhimin e inspektoratit dhe policisë në disa raste. Ka pasur protesta në mes të Prishtinës dhe aktivitete sportive. Zinxhiri komandues duhet të marrë përgjegjësi për mosrespektimin e vendimeve të Qeverisë”, ka thënë Hoti.