Dy ditë para seancës për deputetët e Kuvendit të Kosovës, Gjykata ka vendosur t’ua zgjasë paraburgimin Albin Kurtit dhe Donika Kadaj Bujupit, raporton KTV.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, të akuzuarve ua ka vazhduar masën edhe për një muaj tjetër.
Arsyeja, sipas tij, është ikja e vazhdueshme e të pandehurve nga drejtësia, duke u plotësuar kështu edhe kushti i posaçëm për vazhdim të masës.
“Kjo bazuar në nenin 187, pika 1.2.1 të Kodit të Procedurës Penale, për faktin se të akuzuarit në vazhdimësi i janë shmangur kontaktit me organet shtetërore, të njëjtit nuk janë hasur asnjëherë në vendbanimet e tyre. Nga këto rrethana, Gjykata ka ardhur në përfundim se të njëjtit janë fshehur dhe në këtë mënyrë, gjykata e trajton si rrethanë të shmangies së pranimit të thirrjes së gjykatës nga të akuzuarit”, thuhet në aktvendimi nënshkruar Beqir Kalludra - kryetar i Trupit gjykues.
Kurti dhe Kadaj Bujupi u arrestuan më 24 nëntor, para se të niste seanca e Kuvendit të Kosovës.
Edhe
Të akuzuarit për gazin lotsjellës në Kuvend me kritika për prokurorinë: “Ishte e kapur në atë kohë”
Kjo, pasi ata thyen urdhrin e gjykatës, sipas të cilit, do të duhej të qëndronin në arrest shtëpiak, masë që e thyen duke u bashkuar në sheshin e Prishtinës për fitoren e Shpend Ahmetit.
Vendimin, Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësuar si rëndim të padrejtësisë dhe persekutim politik ndaj deputetëve.
“I kujtojmë gjyqtarit Kalludra dhe mbarë opinionit publik se dy deputetët jo vetëm janë gjetur në shtëpitë e tyre në vizitat që policia ka bërë në vendbanimet e dy deputetëve, por për më tepër edhe janë arrestuar duke ushtruar detyrën e tyre si përfaqësues të popullit”, thuhet bë reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Liri për deputetët ka kërkuar edhe kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.
Edhe
Paraqiten para gjykatës Pacolli, Zyba e Millaku për gazin lotsjellës në Kuvend
Ai, në Facebook, ka shkruar se gjyqtari Kalludra ‘nuk ka kredibilitet dhe është shndërruar në argatin kryesor të pushtetit’.Pos Kurtit e Kadaj Bujupit, të akuzuar për gjuajtjen e gazit lotsjellës në këtë rast janë edhe Albulena Haxhiu e Faton Topalli.
Ata po mbrohen në liri sepse nuk kishin munguar në seancat gjyqësore.