Kandidatja për presidente dhe ai për kryeministër i LVV-së janë shprehur të bindur në fitore, porse kanë kërkuar nga qytetarët që ta thellojnë atë deri në 51 për qind, në mënyrë që të mos ndodhë skenari i njëjtë me marsin e vitit të kaluar, kur përmes mocionit u rrëzua Qeveria Kurti
Prishtinë, 12 shkurt – Lëvizja Vetëvendosje e ka përmbyllur fushatën për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Kandidati për kryeministër i kësaj partie, Albin Kurti, dhe ajo për presidente, Vjosa Osmani, kanë kërkuar nga qytetarët fitore të madhe me mbi 51 për qind të votave, në mënyrë që krijimi i qeverisë, por edhe funksionimi dhe mandati i saj, të mos varen nga votat e partive të tjera. Ata kanë thënë se bashkimi i listave të tyre zgjedhore e ka fuqizuar ndryshimin politik që po e kërkon populli.
Në një tubim me numër të madh të njerëzve në kohë të pandemisë, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se partisë së tij i duhet fitore plebishtiare në mënyrë që të mos ketë mundësi të përsëritet mocioni i mosbesimit, që ia rrëzoi qeverinë vitin e kaluar.
“Për ta bërë ndryshimin që po kërkojmë, duhet ta sigurojmë shumicën parlamentare, sepse nuk duhet të lejojmë që të përsëritet skenari i vitit të kaluar. Nuk duhet të lejojmë që të na përsëritet 25 marsi i vitit 2020, kur Qeveria u rrëzua në kulmin e pandemisë në njërën anë dhe në kulmin e punëve të mira, në anën tjetër”, ka thënë ai.
Ndërsa Vjosa Osmani është shprehur e bindur se fitorja e Vetëvendosjes do t’ia kthejë Kosovës “qeverinë e shpresës”.
“Pas 14 shkurtit, Kosovës sonë të dashur do t’ia japim sërish qeverinë e shpresës, por kësaj radhe jo për 52 ditë, por për katër vjet të plota, sepse ashtu do të jetë vullneti juaj. Ne e kemi ndërtuar koalicionin tonë të përbashkët, lista jonë me Lëvizjen Vetëvendosje, sepse kështu ka qenë vullneti juaj”, ka thënë ajo.
Menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit, Kurti ka thënë se duhet të fillohet me rimëkëmbjen e ekonomisë dhe shëndetësisë, të ndihmohen bizneset dhe amvisëritë, komunat e ndërmarrjet publike, e sidomos qytetarët që kanë nevojë për mbështetje. Ka shtuar se nuk dëshiron asgjë më pak se zhvillim socioekonomik, drejtësi institucionale dhe integrim euroatlantik.
Kurti, po ashtu, ka thënë se Qeveria e tij do të kursejë paratë e buxhetit, porse nuk do të kursejë asgjë për popullin, sepse, sipas tij, qytetarët e Kosovës meritojnë edukim, shëndetësi më të mirë dhe mundësi më të mëdha për veten dhe fëmijët.
“Meritojmë një vend që ndihmon dhe kujdeset për më të varfrit dhe i mbron më të dobëtit. Një vend ku arsimi është cilësor dhe diploma siguron një vend pune. Një vend ku respektohen puna dhe dinjiteti i punëtorit dhe ku mundi shpërblehet. Një vend që nuk u kërkon bizneseve ryshfet në fillim e haraç në fitim, por u ofron mbështetje për të çliruar energjitë për rritje dhe zhvillim”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se i gjithë populli i Kosovës është bashkuar për t’i përzënë ish-pushtetarët, të cilët, sipas tij, ishin bërë bashkë për të vjedhur.
“Në zgjedhjet e së dielës mbështetja për ne do të jetë si shi i madh bereqeti për popullin, e si vërshim lamtumirës për pushtetin”, ka thënë Kurti.
Ndërsa Osmani, mes të tjerash, ka thënë se luftimi i kësaj trashëgimie që kanë lënë pushtetarët e deritanishëm ka qenë pikërisht arsyeja pse janë bashkuar me Vetëvendosjen.
“Vota për numrin 127 është votë kundër korrupsionit, është votë kundër kapësve të shtetit, më 14 shkurt atyre do t’ua japim pensionimin politik”, ka theksuar ajo.
Osmani ka shtuar se elektorati i saj dhe i Vetëvendosjes në këto zgjedhje do të jenë dëshmitarë të fjalës së dhënë ndaj tyre dhe besës së mbajtur.
Kandidati për kryeministër para banorëve të kryeqytetit tha se Lëvizja Vetëvendosje për 15 vjet aktivitet ka lëvizur vetëm në rrugë të drejtë. Angazhimet, puna, protestat, arrestimet e rrahjet që aktivistët e ai vetë i kanë përjetuar ka thënë se janë bërë për mbrojtjen e qytetarëve dhe të drejtën për të vetëvendosur. Megjithatë, ai ka deklaruar se pas zgjedhjeve do të jetë kryeministër për të gjithë dhe do t’i dëgjojë të gjithë, sidomos edhe ata që nuk pajtohen me të.
“Ne bashkë me presidenten nuk do të qeverisim nga inati apo për hakmarrje, por vetëm mbar e mirë, me program e sipas ligjit”, ka deklaruar gjatë fushatës në Prishtinë.
Pas Prishtinës, Kurti e Osmani fushatën zgjedhore e kanë përmbyllur edhe në Lipjan e Fushë-Kosovë.