Arbëri

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja kërkon votën e qytetarëve, ua kujton trashëgiminë e Thaçit e Veselit

Me shkelje masash janë shoqëruar tubimet përmbyllëse të fushatës së PDK-së, në Malishevë e Drenas e Prizren. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka kërkuar votën e qytetarëve, duke thënë se ka marrë fund ajo që e ka quajtur epokë e keqqeverisjes. Edhe në këto tubime të PDK-së, nuk u lanë pa u përmendur UÇK-ja e Hashim Thaçi, dhe Kadri Veseli

Nën tingujt e këngëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës e ka mbyllur fushatën elektorale në Komunën e Malishevës.

Qytetarë të shumtë ishin mbledhur në një sallë dasmash në këtë komunë, për të pritur liderin e kësaj partie, Memli Krasniqi, i cili me të ardhur ngriti në këmbë të gjithë masën. Krasniqi, derisa lavdëroi kandidatin për kryetar të kësaj komune, Isni Kilaj, tha se PDK-në dhe Malishevën e lidhin shumë gjëra, duke i veçuar tri prej tyre.

“I lidh historia e lavdishme e UÇK-së, dhe e dyta është që e lidh historia dhe tradita e qeverisjes zhvillimore dhe transformuese, e mburremi e jemi krenarë për gjithë ato vite që kemi qeverisur këtu”, është shprehur ai.

Kandidati i PDK-së për këtë komunë, Isni Kilaj, duke i ftuar qytetarët e Malishevës ta votojnë atë, tha se çdo votë e tyre është një mesazh i fuqishëm që ua dërgojmë edhe Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Malisheva ka votuar dhe po voton për ndryshimin e saj, po voton për ndryshimin e një qeverisjeje të keqe me një qeverisje që do të na e zbardhë fytyrën çdo malishevasi. Këtu janë edhe simpatizantë edhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës që i falënderojmë edhe simpatizantë të AAK-së. Kemi mbështetës të Listës Guxo e të LVV-së”, është shprehur ai.

PDK-ja ka mbajtur tubimet përmbyllëse edhe në Komunën e Drenasit dhe atë të Prizrenit. Në këtë të fundit ishte i pranishëm edhe Memli Krasniqi, derisa në Komunën e Drenasit, u panë deputetë të PDK-së.

Por, siç duket të pranishmëve nuk u pritej, derisa filluan festën para kohe. Ata me të ardhur kandidati për kryetar, filluan të kërcenin nën tingujt e tupanëve. As këtu nuk u harruan dy ish-liderët e kësaj partie, që tash e një vit janë në Hagë. Ramiz Lldrovci ka përmendur punët që ka bërë gjatë mandatit që po lënë pas.

“Ne kemi punuar edhe do të punojmë, sepse ne japim gjithçka për këtë vend, sepse rrënjët tona janë të lidhura ngushtë me qytetarin”, është shprehur Lladrovci.

Derisa kandidati i PDK-së për kryetar, Shaqir Totaj, para simpatizantëve të shumtë, tha se nevoja për ndryshim në Prizren është e madhe, pasi ka pasur një keqqeverisje në katër vjetët e kaluar.

“Qysh moti e kemi identifikuar nevojën për ndryshim në Prizren. Kemi nevojë për projekte, arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë, kushte më të mira për artistët tanë. Kemi nevojë për zhvillim ekonomik, prandaj me votën tuaj do të ndëshkojmë keqqeverisjen që e kemi pasur në katër vjetët e fundit. Pasi Prizreni është qyteti i vlerave dhe duhet t’ia kthejmë qytetit tonë shkëlqimin dhe buzëqeshjen… Nuk ka vota për një person që buxhetin nuk e ka shfrytëzuar dhe nuk i ka futur mjetet në qarkullim. Nuk ka vota për një person që ka pasur qeverisje jo transparentë dhe fshihet prapa njerëzve të tjerë. Prizreni meriton më tepër”, tha Totaj.

Mbështetje Shaqir Totajt i dha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se qeverisjes depresive të Haskukës po i vjen fundi.

“Kjo atmosferë dhe kjo mbështetje më bënë t’iu shoh të gjithëve në sy për të dhënë një lajm se ditët e qeverisjes depresive po marrin fund dhe Shaqa po vjen. Ai po vjen që të bëhet kryetar i shpresës dhe rilindjes së Prizrenit, ashtu siç kërkojnë dhe meritojnë qytetarët. PDK-ja kurrë nuk e ka parë Prizrenin si të vetmen komunë, por si vend që na bënë bashkë. Kjo është trashëgimia që PDK-ja e ka ndërtuar së bashku me qytetarët e Prizrenit. Këtë trashëgimi e kanë ndërtuar edhe liderët tanë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi edhe kryeministrin Albin Kurti me vartësit e tij, për siç tha defilimin në skutat e Prizrenit për ta mbështetur Haskukën.

Në këto tubime të Partisë Demokratike të Kosovës, janë shkelur masat anti-COVID, ku shumë qytetarë ishin mbledhur në ambiente të mbyllura, pa respektuar distancën e mbajtjen e maskës.