Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka vazhduar ta përmendë bashkimin kombëtar, teksa ka deklaruar se aleatët ndërkombëtarë do t’ia kërkojnë Serbisë me nguti njohjen e Kosovës, duke ia paraqitur rrezikun e bashkimit me Shqipërinë.
“Aleatët tanë tani e kanë më të lehtë t'u thonë Serbisë e Rusisë, shiko, ti po mendon se i mban të bllokuar, por ata e kanë në plan të përfundojnë punë vetë nëse i vonon", ka thënë Haradinaj në Suharekë. Ai, gjatë fushatës në këtë qytet, ka qëndruar në shtëpinë e familjes së dëshmorit Fadil Kabashi dhe ka mbajtur tubim në një sallë dasme.
Haradinaj, sipas të cilit Kosova është në finale për marrëveshje me Serbinë, ka shtuar se Kosova e Shqipëria mund të formojnë institucione të përbashkëta, në mënyrë që të ushtrohet presion më i madh mbi Serbinë.
"Nëse vazhdon bllokada, atëherë vazhdojmë me idenë e bashkimit në union me Shqipërinë. Kjo në union është moderne, si e bën edhe bota. Kosova mbetet shtet, por bëjmë institucione të përbashkëta", është shprehur ai.
Gjatë tubimit kryesor të ditës ka folur edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka deklaruar se shumë projekte janë realizuar për shkak të, siç ka thënë ai, ekipit të mirë, ku bëjnë pjesë kandidatët për deputetë. Puna e mirë e komunës, sipas tij, reflekton edhe në punë të mirë të qeverisë.
“Kemi bërë për të gjitha grupmoshat e Suharekës. Kemi bërë për parashkollorët, 8 kopshte, kemi bërë për nxënësit, kemi bërë për studentët, kemi bërë për njerëzit e punësuar, 40 milionë euro investime për klinikën në Suharekë, 10 milionë donacione për tre vjet në Suharekë. Dikujt mund t'i interesojë ku janë ato donacione: 100 shtëpi për familje skamnore, Shtëpia e të Moshuarve që është kryevepër jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan: 3.5 milionë euro”, ka thënë Muharremaj.
I pari i Suharekës po ashtu ka shtuar se veprimet e komunës së tij janë dëshmi që AAK-ja nuk është “parti e kazinove”.
“Ka pasur njerëz që thoshin se Aleanca është parti e kazinove. Kush ishin të parët që i mbyllën kazinotë. Kush ishin të parën që e morën vendimin. Vendimin e mori kryetari i Komunës së Suharekës, me të gjitha partitë politike pa dallim, me qytetarët (me të cilët) për dy ditë mblodhëm 11 mijë e 800 nënshkrime”, ka thënë ai.
Edhe
Kronika Zgjedhore / AAK-ja e mbyll fushatën me premtimin për referendum rreth bashkimit me Shqipërinë
Gjatë tubimit kryesor ka folur edhe ish-ministri i Mjedisit, Blerim Kuçi, i cili, përveç pavarësimit energjetik, ligjeve të “Trepçës” e ushtrisë e ka vënë theksin te një e arritur, të cilën e ka quajtur të çmuar për të e AAK-në.
"Aleanca në nivelin qendror edhe lokal e ka botuar atlasin më të mirë bimor ndonjëherë në Ballkan. Falë punës së Behxhet Berishës dhe Xhavit Malës, sot e kemi një atlas që është kontribut i Aleancës edhe në nivelin qendror", është shprehur ai.
Derisa këtë tubim e ka karakterizuar edhe përkthimi në gjuhë të shenjave, njëjtë ka vazhduar thyerja e masave të përcaktuara nga Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19.
-
Haradinaj bën thirrje për bashkim: Kosova në gjendje të rënduar ekonomike e politike
-
Haradinaj: Në qeverisjen time, prioritet anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO
-
Haradinaj: Aleanca dëshmoi forcë dhe stabilitet politik në gjithë vendin
-
Haradinaj: Ardian Gjini, kryetar model për tërë Kosovën